21 Maj, 2026

Paskal Milo kritika të ashpra Spiropalit dhe Braçes: Kur humbën pozicionin në qeveri, filluan të flasin

 Paskal Milo kritika të ashpra Spiropalit dhe Braçes: Kur humbën pozicionin në qeveri, filluan të flasin

Ish-ministri i Jashtëm dhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Paskal Milo, ka komentuar përplasjet brenda Partisë Socialiste, ku deputetët Elisa Spiropali dhe Erion Braçe kanë kritikuar publikisht disa vendime të marra në këtë parti.

I ftuar në News24, Milo tha se Partia Socialiste është transformuar gjatë lidershipit të zotit Rama, teksa theksoi se “institucionet” brenda kësaj partie kanë rol periferik dhe janë vetëm fasadë.

Më tej, ish-ministri deklaroi se sot PS portretizohet si një parti-shtet dhe se në të vendos vetëm kryetari i saj, Edi Rama.

Kjo është histori më vete që ka një të kaluar. PS është transformuar gjatë lidershipit të zotit Rama. Që nga 2005 e deri tani, është një epokë e tërë. Lidershipi i PS, ose institucionet e saj, janë rrudhur, nuk kanë ndonjë rol qendror në vendimmarrje; kjo është dukshëm e shfaqur, pasi kanë rol periferik.

Kanë rol thjesht fasadë. Pushteti absolut që ka zoti Rama brenda PS ka diktuar një politikë të atillë që këto institucione, ku anëtarë të veçantë nuk kanë rol ose e kanë minimal, janë dobësuar. Kjo është një mënyrë e dukshme funksionimi. PS sot portretizohet si një ekip politik-administrativ, si një parti-shtet që i ka të gjitha hallkat në dorën e saj dhe aty vendos kryetari i partisë. Mund të mos jetë përjashtim, kjo varet”, tha ai.

Po ashtu, kryetari i Partisë Socialdemokrate ka kritikuar ashpër edhe Braçen dhe Spiropalin, teksa tha se në momentin kur janë larguar nga qeveria, kanë marrë kurajën të flasin për problemet që ka partia apo qeveria e drejtuar nga PS.

Në momentin kur kanë humbur pozicionin në qeveri apo hierarkinë politike të PS, kanë marrë kurajën të vënë gishtin në plagë. Jo se nuk kanë të drejtë, por këto janë probleme të vjetra në PS dhe nuk janë shfaqur vetëm tani.

Qoftë për zonjën Spiropali apo për Braçen, apo edhe për zëra të tjerë që nuk flasin publikisht. Duhet vepruar me qetësi dhe të ketë më shumë urtësi e kolegjialitet, në mënyrë që të korrigjohen sa nuk është vonë. Po nisi një lëmsh të shthuret, nuk e ndalon dot”, u shpreh ai.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *