Pas virusit të SIDA-s, në Gjirokastër jepet alarmi për një tjetër virus
Edhe pse të vaksinuar ndaj hepatit B, rreth 70% e studentëve në Gjirokastër rezultuan pa imunitet ndaj këtij virusi. Ky është rezultati i një projekti të zhvilluar nga Universiteti i Gjirokastrës gjatë këtij viti akademik pas testimit të kryer të 140 studentë të tre fakulteteve. Drejtuesja e projektit Zhenisa Çuni tha se gjetjet ishin pothuajse të njëjta me të kolegëve të tyre në kryeqytet.
“Kjo është një pikëpyetje e madhe sepse këto persona janë të vaksinuar. Të gjithë ne si popullatë jemi të vaksinuar ndaj hepatit B. Vaksinat sigurisht që synojnë dhe injektohen me qëllim që të sigurojnë një imunitet mundësisht të përjetshëm, por jo gjithmonë imuniteti është i përjetshëm. Pra, ne nuk e dime në cilën pikë të jetës imuniteti reduktohet apo humbet fare”, deklaroi Çuni.
Projekte të tilla të fushës së shëndetit publik sipas Çunit i vijnë në ndihmë politikave të sistemit shëndetësor.
“Kini parasysh që Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik monitorojnë vazhdimisht në mënyrë konstante dhe periodike të gjitha sëmundjet, përfshirë dhe hepatitin B.
Ashtu si kundër dhe kolegët e Tiranës zbuluan një përqindje të lartë pa imunitet. Në qoftë se rezultojmë dhe ne pa imunitet në qarkun tonë, atëhere këto rekomandime duhet t’i përcillen dhe do t’i përcillen Institutit të Shëndetit Publik dhe Ministrisë do të botohen në revista shkencore. Pse? Me qëllim që politika t’i përshtatet nevojës”, shtoi Çuni.
Nga studentët që rezultuan pa imunitet, 77% janë të moshës deri në 30 vjeç. Faktorët më të shpeshtë të rriskut për infektim me virusin e hepatit B ndaj të cilëve është ekspozuar mostra janë manipulime dentare 78%, marrëdhëniet seksuale të pambrojtura 48%, ndërhyrjet kirurgjikale 32% dhe kryerja e tatuazheve dhe pirsing me 29%.