Partia tha: “Starmer, jepe dorëheqjen”. Po Rama?
Nga Fiona Kopali
Një fantazmë po endet nëpër Europë: fantazma e dorëheqjeve kryeministrore. Duke perifrazuar fjalinë e famshme me të cilën nis Manifesti Komunist i Marksit e Engelsit, duket sikur sot një tjetër fenomen po përshkon Europën, sa shpejt mund të konsumohet një lider? Europa e shekullit XXI nuk përballet me fantazmën e komunizmit, por me qarkullim të lartë politik, ku mandati i një lideri duket gjithnjë e më shumë si periudhë prove që mund të ndërpritet në çdo moment.
Protesta të përnatshme kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Rama, pas 13 vjetësh në detyrë. Njëkohësisht, pa bërë dy vjet Kryeministër i Britanisë së Madhe, Keir Starmer njofton dorëheqjen. Starmer pranoi hapur se grupi i tij parlamentar kërkonte largimin e tij, duke thënë: “Pyetja që partia po më bën tani është nëse unë jam personi më i përshtatshëm për të udhëhequr zgjedhjet e ardhshme. Unë e dëgjova përgjigjen e grupit tim parlamentar dhe e pranoj atë me dinjitet”. Kur një lider humbet besimin, çfarë është më e shëndetshme për demokracinë, largimi i shpejtë apo qëndrueshmëria afatgjatë?
Një ndër thëniet që i atribuohen Winston Churchill-it është se “Ballkani prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë”. Fundi i Luftës së Dytë Botërore e shndërroi në burrështetasin më të shquar të botës. Ai nderohej kudo që shkonte, gëzonte pëlqimin 83%, megjithatë, vetëm tre muaj më vonë, u poshtërua duke humbur zgjedhjet. Fati elektoral i Churchill-it tregon se votuesit britanikë nuk votuan për lavdinë e djeshme, por për programin që mendonin se do t’u zgjidhte problemet e nesërme.
Britania e Madhe sot është bërë simbol i politikës që djeg liderët me shpejtësi të jashtëzakonshme. Vendi ka parë Theresa May, Boris Johnson, Liz Truss, Rishi Sunak dhe më pas Keir Starmer. Me pasuesin e Starmer-it, Britania ndërron shtatë kryeministra brenda dhjetë vjetëve, për një vend që dikur ishte shembull i stabilitetit institucional. Kultura politike britanike është e çmuar, se partitë nuk hezitojnë të largojnë liderët që konsiderohen barrë elektorale. Një rënie e fortë e popullaritetit apo humbja e besimit të grupit parlamentar mjafton për të nisur procesin e zëvendësimit. Kur largimi i liderëve bëhet normë, a rrezikon vetë sistemi të humbasë stabilitetin që kërkon të mbrojë?
Keir Starmer erdhi në pushtet se Britania kishte nevojë për stabilitet. Pas Brexit, pandemisë, rrëzimit të Boris Johnson-it, populli britanik dukej i lodhur nga drama e përhershme politike, prandaj Starmer nuk premtoi revolucion, po normalitet. Normaliteti ishte platforma e tij e vetme. Ai nuk ishte lideri që prodhonte tituj bombastikë çdo javë, personazh ekstravagant spektakolar. Stili i tij ishte i kundërt: i qetë, i matur, dhe shpesh teknik. Por politika moderne duket se shpërblen gjithnjë e më pak këtë lloj profili, aq më pak Starmer-in, me prerje të mërzitshme të juristit që ka studiuar në Oxford e Leeds.
Në epokën e algoritmeve, ku vëmendja është valuta kryesore, liderët e qetë janë të padukshëm. Politikani që nuk prodhon spektakël mediatik mund të qeverisë mirë, por nuk ka sukses në ciklin e pafund të lajmeve dhe rrjeteve sociale. Si na e shpjegoi kryeministri Rama, algoritmet nuk shpërblejnë administrimin e matur të shtetit, por spektaklin.
A duan qytetarët liderë të fortë apo liderë të zhurmshëm? Nuk janë domosdoshmërisht e njëjta gjë. Një lider me personalitet të fortë mund të jetë i qetë e racional. Një lider spektakolar mund të dominojë titujt e lajmeve pa lënë pas ndonjë trashëgimi të rëndësishme politike.
***
Kur kryeministri s’ka më mbështetje, vjen nga populli apo partia? Në sistemin britanik janë deputetët dhe strukturat partiake që reagojnë të parat ndaj rënies së popullaritetit. Kjo nuk do të thotë se shumica e qytetarëve kërkon largimin e menjëhershëm të liderit, shpesh është vetë partia që paraprin atë që mendon se mund të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme. Lideri largohet, por sistemi mbetet. Ndryshojnë fytyrat, por jo institucionet e mekanizmat e vendimmarrjes, nuk ka rëndësi kush largohet.
Në Shqipëri kemi problemin e kundërt. Për më shumë se tre dekada postkomunizëm, kemi treguar tolerancë të jashtëzakonshme ndaj liderëve tanë politikë. Rrallëherë kemi parë figura të largohen si rezultat i dështimit. Gabimet që në vende të tjera do të kishin shkaktuar kriza politike, te ne janë përthithur nga sistemi pa pasoja. Britanikët duket sikur nuk falin as gabimet e korrigjueshme, kurse shqiptarët falin të pafalshmet. Populli ynë bujar i ka mësuar politikanët se koha shëron gjithçka. Shqiptarët kanë jetuar aq gjatë me liderë që nuk largohen, saqë dorëheqja ishte koncept i botës së jashtme, deri para tri javëve. Nuk e kemi kulturën e dorëheqjes, as si individë, as si institucione. Kjo psikologji kolektive ka një çmim që paguhet më vonë, në formën e shtetit të dobët dhe qytetarëve që nuk kanë më besim te sistemi.
Rama erdhi në pushtet dhe ndenji gjatë pikërisht se garantoi stabilitet për të gjitha palët. Tani jemi në atë pikë ku sistemi do të duhej të fliste, por zgjedh të heshtë. Protestat që po trondisin Shqipërinë nuk janë tekë momenti dhe prodhim artificial i forcave të huaja që na e kanë inatin. Janë simptomë e akumulimit të gjatë të pakënaqësisë popullore, dhe Rama ka humbur besueshmërinë më keq se Starmer, se lideri ynë ekscentrik ka shkelur kontratën morale me qytetarët, duke u thënë “f*ck you” protestuesve në gazetën britanike Financial Times. Popullariteti i tij është shembur nën peshën e korrupsionit, stilit arrogant të qeverisjes me lidhje klienteliste të pushtetit.
Mbështetësit e mbetur të Ramës e thonë saktë që nuk mjafton vetëm presioni i rrugës për të justifikuar dorëheqjen, se demokracia nuk lëkundet sipas termometrit të sheshit, por rasti i Ramës nuk është thjesht çështje presioni nga poshtë. Dorëheqja do të ishte e justifikuar, jo sepse e kërkojnë protestuesit, por sepse korrupsioni dhe thyerja e besimit publik janë arsye të mjaftueshme. Protesta është termometri, jo diagnoza.
Heshtja e Partisë Socialiste flet më shumë se çdo deklaratë e Ramës. Ndryshe nga laburistët britanikë, PS nuk ka dhënë shenja se po mendon për vijimësinë e saj përtej individit që e drejton sot, kemi parë vetëm fytyra si në vaki grupit të deputetëve kur dëgjojnë fjalimin e gjatë të liderit. Nuk ka strukturë kompakte që të thotë me guxim se kemi shkuar shumë larg dhe duhet të ndalemi, se partia po bie në fund të detit bashkë me kreun e saj, me të cilin garantuan shumë gjatë pushtetin, duke harruar se votuesi zgjedh gjithnjë partinë. Sorry, Churchill, for being so Balkanic! Kjo sjellje solli që votuesi shqiptar tani nuk do as partinë, as liderin.
Dorëheqja paraqitet si akt pastrimi politik, një lloj purifikimi i sistemit, por nëse largohet vetëm individi ndërsa gjithçka tjetër mbetet e pandryshuar, kemi zëvendësuar aktorin pa ndryshuar skenarin. Për këtë arsye, qytetarët europianë po bëhen gjithnjë e më skeptikë me revoltat popullore të kohëve të fundit, se shohin liderë që ndryshojnë shpesh, kurse politikat dhe drejtimet strategjike mbeten të njëjta, duke dhënë ndjesinë se forcat vendimmarrëse janë më të mëdha se individët në krye të qeverive. A është më e shëndetshme një kulturë politike si ajo britanike, ku liderët mund të largohen sapo humbasin besimin, apo një kulturë më e durueshme si ajo shqiptare, ku stabiliteti mbizotëron mbi llogaridhënien?
Përgjigjja nuk ndodhet në skajet e pyetjes. Stabiliteti pa llogaridhënie kthehet në ujë të ndenjur, kurse llogaridhënia pa stabilitet shkakton kaos. Shqipëria ka qëndruar shumë gjatë në atë ujë të ndenjur, duke iu dukur oaz paqeje. Sfida e demokracisë nuk është të zgjedhim mes ndryshimit dhe stabilitetit, por të dimë kur secili prej tyre bëhet problem, me guximin për të thënë mjaft në kohën e duhur.