OSHEE dhe policia shkojnë për t’i prerë dritat, Tasha e njohur e Sarandës humb ndjenjat në mes të rrugës
Shërbimet e Policisë dhe ato të OSHEE-së janë paraqitur këtë të martë në banesën e Natasha Kumarakut, e njohur ndryshe në TikTok si Tasha. Sipas informacioneve paraprake, punonjësit e OSHEE-së kanë shkuar në banesën e saj për të ndërprerë furnizimin me energji elektrike, pasi e kishin urdhër nga pronari i banesës, ku ajo jetonte me qira.
Por ky veprim ka sjellë përplasje mes Tashës dhe shërbimeve të policisë, pasi ajo nuk i ka lejuar punonjësit të ngjiten në shtyllë për të ndërprerë energjinë.
Në pamjet e siguruara shihet momenti kur efektivët e policisë e largojnë Tashën nga shtylla ku ishte pozicionuar. Gjatë ndërhyrjes, ajo dëgjohet të thotë disa herë: “Mos më prekni me dorë, mos më prekni me dorë!”.
Menjëherë pas këtij momenti, Tasha ka humbur ndjenjat, duke bërë që banorët e pranishëm t’i japin ndihmën e parë. Deri më tani nuk dihen arsyet që kanë çuar në vendimin për ndërprerjen e energjisë elektrike në banesën e saj.
Në vendngjarje është parë edhe deputetja demokrate Ina Zhupa, e cila dëgjohet t’u kërkojë punonjësve të OSHEE-së dhe asaj të policisë që të tregojnë urdhrin dhe arsyet përse po ndërpresin energjinë elektrike.