18 Shtator, 2026

Njësia sekrete gjermane që armatos Ukrainën

 Njësia sekrete gjermane që armatos Ukrainën

Një njësi e vogël brenda Ministrisë së Mbrojtjes së Gjermanisë po mundëson përfundimin e marrëveshjeve për furnizimin e Ukrainës me armë brenda vetëm dy javësh, duke shmangur vonesat që karakterizojnë procedurat e zakonshme gjermane të prokurimit.

Njësia, e njohur si “Sonderstab Ukraine”, funksionon në mënyrë të pavarur brenda ministrisë dhe ka më pak se 20 punonjës, sipas “Financial Times”.

“Ne kemi zinxhirë jashtëzakonisht të shkurtër vendimmarrjeje. Kjo na bën të shpejtë dhe fleksibël”, deklaroi drejtuesi i saj, gjeneral brigade Joachim Kaschke.

“Sonderstab Ukraine” u krijua në vitin 2022, disa muaj pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës. Njësia fitoi shpejt reputacionin e një strukture efikase dhe të aftë për t’iu përgjigjur me shpejtësi kërkesave të Kievit.

Një nga arsyet kryesore për këtë shpejtësi është mënyra se si realizohen kontratat. Duke qenë se ato nënshkruhen nga qeveria ukrainase dhe jo nga ajo gjermane, njësia ka mundur të anashkalojë rregullat gjermane të prokurimit.

Roli i saj ka ndryshuar disa herë që prej krijimit, paralelisht me kalimin e Gjermanisë nga një mbështetje fillimisht e kujdesshme në një prej partnerëve kryesorë të Ukrainës.

Gjatë vitit të fundit, “Sonderstab Ukraine” është shndërruar në një qendër ku ministritë e Mbrojtjes të Gjermanisë dhe Ukrainës, së bashku me kompanitë e industrisë së mbrojtjes, shkëmbejnë përvojë dhe teknologji.

Pavarësisht rolit të saj, struktura vazhdon të mbetet e vogël.

“Ka paksa atmosferën e një start-up-i”, tha për “Financial Times” një burim i njohur me punën e ekipit.

“Ata kanë njohuri shumë të thella për sistemet: çfarë funksionon dhe çfarë është marrëzi e shtrenjtë dhe vetëm për sy e faqe”, shtoi ai.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *