Një vlerësim për “babain” e basketbollit, përmetarin Ethem Kaso
Defrim Methasani
Në Përmet takimin e parë e kisha me legjendën e basketbollit Ethem Kaso, ose “guri” i dytë i qytetit siç i them unë.
Arsyeja këtë herë është madhore, pasi doja të ndaj me të, lajmin e madh dhe të bukur që mora nga kryetarja e Bashkisë, zonja Alma Hoxha.
Pallati i sportit në Përmet, tashmë do të ketë emrin “Ethem Kaso”, pas vendimit të Këshillit Bashkiak në mbledhjen e tij të fundit, vendim që miraton kërkesën e Unionit të gazetarëve sportiv të Shqipërisë dhe shoqatës së basketbollit Përmet.
Ceremonia e vendosjes së emrit, do të zhvillohet ne shtator dhe do të shoqërohet me një veprimtari mbresëlënëse sportive, artistike dhe emocionale. E gëzoftë këtë emër të bukur ky pallat, që përjetëson së gjalli emblemën e sportit përmetar dhe “babain” e basketbollit, trajnerin që mbi 65 vite punon me pasion dhe përkushtim të rrallë, për afirmimin e vlerave të ketij sporti në Përmet dhe Shqipëri.