Një nënë humbi jetën dje në Përmet…
Nga Adelina Stefani
Dhe me heshtjen që ka sot ky qytet fillon muaji tetor.
Dje, një grua, një nënë, humbi jetën pasi u hodh nga kati i gjashtë.
Një lajm që kalon në ekranet tona për pak minuta, ndërsa pas tij fshihet një dramë e madhe njerëzore.
Një nënë që ndoshta kishte luftuar gjatë me veten, me hallet, me stresin, me dhimbjen dhe me një jetë që ndoshta i ishte bërë e papërballueshme.
Sa prej nesh e njohim vërtet dhimbjen e njeriut që kemi pranë? Sa herë kemi parë dikë të buzëqeshë dhe kemi menduar se është mirë, pa e ditur çfarë po përjeton brenda vetes?
Nuk mjafton të themi “sa keq” dhe të vazhdojmë rrugën. Pas çdo tragjedie të tillë duhet të pyesim veten çfarë po ndodh me shoqërinë tonë, pse njerëzit po ndihen gjithnjë e më të vetëm dhe pse shpesh dhimbja e tyre mbetet e padukshme.
Një nënë iku. Një familje mbeti me një boshllëk që nuk mbushet më. Fëmijë, njerëz të afërt dhe miq mbeten me pyetjet “pse?” dhe “a mund të kishim bërë diçka?”.
Le të jemi pak më njerëzorë me njëri-tjetrin. Të pyesim. Të dëgjojmë. Të mos gjykojmë.
Ndonjëherë një fjalë, një telefonatë apo thjesht prania jonë mund të ketë më shumë rëndësi nga sa mendojmë.
Muaj të mbarë… edhe pse dita e parë na kujtoi në mënyrën më të dhimbshme se sa e brishtë është jeta.