21 Maj, 2026

Nga SPAK te ndërhyrjet politike: BE-ja ashpërson kushtet për Shqipërinë

 Nga SPAK te ndërhyrjet politike: BE-ja ashpërson kushtet për Shqipërinë

Teksti final i pozicionit të përbashkët të Bashkimit Evropian për Shqipërinë në grup-kapitullin “Themeloret” rezulton ndjeshëm më i ashpër, më specifik dhe politikisht më kërkues sesa drafti fillestar i përgatitur nga Komisioni Evropian në shkurt.

Një analizë krahasuese e dy dokumenteve – draftit të Komisionit Evropian të 26 shkurtit dhe kompromisit të Presidencës së Këshillit të BE-së të 21 majit, tashmë të dakordësuar në nivel teknik në COELA – tregon se teksti final lëviz qartë nga një qasje e fokusuar te progresi drejt një logjike më të fortë kushtëzimi përpara avancimit të mëtejshëm të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Dokumenti identifikon 32 ndryshime substanciale në 11 fusha tematike dhe, ndonëse ruan mbështetjen për rrugën integruese të Shqipërisë, shton kërkesa më konkrete për reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, funksionimin e institucioneve demokratike, mbrojtjen e pronës, median, pakicat kombëtare dhe ekonominë.

Më pak gjuhë pozitive, më shumë kushte

Një nga ndryshimet më domethënëse është vetë struktura e dokumentit.

Versioni i shkurtit përmbante një hyrje të zgjeruar të Komisionit Evropian mbi progresin e Shqipërisë në kapitujt 23 dhe 24, duke vendosur një narrativë relativisht pozitive mbi reformat e ndërmarra. Në tekstin e majit, kjo hyrje është hequr plotësisht.

Dokumenti nis drejtpërdrejt me kërkesat, benchmark-et dhe detyrimet që Shqipëria duhet të përmbushë, një ndryshim që, sipas analizës krahasuese, përbën edhe një sinjal politik në vetvete: fokusi nuk është më te ajo që është bërë, por te ajo që mbetet problematike.

SPAK në qendër të vëmendjes së Brukselit

Një nga elementët më të fortë politikisht në dokumentin final është referenca shumë më e drejtpërdrejtë ndaj Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Në draftin e shkurtit, Bashkimi Evropian i kërkonte Shqipërisë të adresonte përpjekjet e zyrtarëve publikë për të ushtruar ndikim mbi institucionet e drejtësisë. Në tekstin final të majit, gjuha është dukshëm më e fortë.

BE-ja shpreh “keqardhje” për përpjekjet “në rritje dhe shqetësuese”, përfshirë “në nivele të larta”, për të ushtruar ndikim të padrejtë mbi institucionet e drejtësisë, duke përmendur për herë të parë në mënyrë eksplicite edhe SPAK-un si institucion që duhet mbrojtur nga ndërhyrjet politike.

Në të njëjtën kohë, dokumenti final përfshin edhe një vlerësim pozitiv për rezultatet e SPAK-ut, veçanërisht në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, duke krijuar një kontrast të qartë mes mbështetjes për institucionin dhe shqetësimeve për ndërhyrjet ndaj tij.

Korrupsioni ngrihet në nivel “kritik”

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me gjuhën diplomatike të përdorur për korrupsionin.

Në dokumentin e shkurtit, korrupsioni cilësohej si një fushë “serious concern” – shqetësim serioz. Në kompromisin e majit, formulimi ndryshon në “crucial concern” – shqetësim thelbësor apo kritik.

Në gjuhën e institucioneve evropiane, ky ndryshim konsiderohet domethënës politikisht, pasi sinjalizon se progresi në këtë fushë shihet si vendimtar për ritmin e negociatave të anëtarësimit.

Po ashtu, dokumenti shton kërkesa të reja që deklaratat publike të institucioneve shtetërore dhe zyrtarëve mbi hetimet në vijim të respektojnë prezumimin e pafajësisë dhe të mos ndikojnë procedurat në zhvillim – një referencë që lexohet si shqetësim për komentet publike mbi çështje të ndjeshme të SPAK-ut.

Rrjetet patronazhiste dhe zgjedhjet

Për herë të parë, Bashkimi Evropian përfshin në tekst termin “patronage networks” – rrjete patronazhimi – duke kërkuar që Shqipëria të garantojë kushte të barabarta gare politike dhe të shmangë keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe ndikimit institucional gjatë proceseve zgjedhore.

Dokumenti lidh gjithashtu zbatimin e rekomandimeve zgjedhore me zgjedhjet e ardhshme vendore, duke krijuar presion më të qartë kohor mbi autoritetet shqiptare.

Pronat, bregdeti dhe minoritetet futen në fokus

Një pjesë veçanërisht e ndjeshme politikisht është ajo që lidhet me të drejtat e pronës.

Teksti final i BE-së përmend për herë të parë ndikimin disproporcional të problemeve me regjistrimin e pronave në zonat ku jetojnë pakicat kombëtare, në zonat me vlerë të lartë ekonomike dhe në zonat bregdetare.

Dokumenti shton gjithashtu kërkesën që shpronësimet në emër të interesit publik të shoqërohen me kompensim të drejtë për pronarët legjitimë.

Në mënyrë të tërthortë, kjo shihet si një referencë ndaj debateve të vazhdueshme për pronat në bregdet dhe konfliktet mbi titujt e pronësisë.

Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme nën lupë

Për herë të parë, Bashkimi Evropian lidh drejtpërdrejt sektorin e ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme me korrupsionin dhe informalitetin.

Dokumenti i majit thekson se Shqipëria duhet të adresojë problemet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe industrinë e ndërtimit, të lidhura me korrupsionin, mungesën e titujve të plotë të pronësisë, dobësitë ligjore dhe transaksionet jo-financiare.

Ky është një formulim që mungonte plotësisht në draftin fillestar të shkurtit dhe përbën një nga shtesat më të forta ekonomike në tekstin final.

Tani sytë nga COREPER-i

Megjithëse dokumenti është dakordësuar në nivel teknik në COELA, vendimi politik i radhës pritet të merret në COREPER, ku ambasadorët e 27 shteteve anëtare do të duhet të miratojnë pozicionin e përbashkët të Bashkimit Evropian mbi “Themeloret”.

Vetëm pas këtij hapi procedural mund të vijë edhe konfirmimi formal për mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE më 26 maj – moment që do të përcaktojë nëse Shqipëria hyn në fazën e ardhshme të negociatave, por tashmë me një listë dukshëm më të fortë kushtesh politike dhe institucionale.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *