Nga Rama, tek Meta, Thaçi e Balluku- “Tan Lepuri”, njeriu hije që ka lidhje me “kokat” e politikës shqiptare dhe kosovare
Si ka mundësi që emri i Dritan Avllajt, i njohur si “Tan Lepuri”, prej më shumë se dy dekadash shfaqet pranë disa prej njerëzve më të fuqishëm të politikës shqiptare dhe kosovare? Çfarë roli ka pasur realisht ky personazh që nuk ka mbajtur poste të larta shtetërore, por emri i të cilit është përmendur nga Hajdin Sejdia te Ilir Meta e Monika Kryemadhi, nga Hashim Thaçi te Edi Rama dhe, së fundmi, te Belinda Balluku?
Sot pyetja bëhet edhe më interesante, sepse SPAK i ka sekuestruar telefonin Avllajt dhe po verifikon komunikimet e tij në kuadër të hetimeve ku del edhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Sipas burimeve, një nga pistat është nëse Avllaj ka ndërmjetësuar mes kompanive private dhe njerëzve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për kontrata apo interesa biznesi. Deri tani nuk është bërë publike ndonjë akuzë penale ndaj tij.
Por burimet thonë se marrëdhënia e tij me Ballukun shkon më tej. Sipas këtyre burimeve, gjatë viteve të fundit Avllaj është kthyer në një nga njerëzit e besuar të Belinda Ballukut dhe ka krijuar lidhje të forta edhe brenda Policisë së Shtetit. Burimet ngrenë edhe një pretendim shumë konkret: Dritan Avllaj dyshohet të ketë qenë personi që i propozoi Belinda Ballukut emrin e Skënder Hitës për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Në qarqe gazetarësh dhe politike prej kohësh është përfolur mbështetja e Ballukut për Hitën. Por informacioni se pikërisht Avllaj mund t’ia ketë propozuar emrin e tij Ballukut është informacion që e kemi marrë nga burimet. Por nëse kjo pistë rezulton e saktë, atëherë lind një pyetje shumë më e madhe: çfarë ndikimi ka realisht Dritan Avllaj dhe si mundet një biznesmen pa funksion publik të ketë akses deri te diskutimet për drejtimin e institucionit më të madh policor në vend?
Kjo pyetje nuk lind sot. Historia e “Tan Lepurit” me politikën dhe njerëzit e pushtetit është shumë më e vjetër. Në raportimet e viteve të shkuara, emri i tij është lidhur fillimisht edhe me biznesmenin Hajdin Sejdia, një nga personazhet më të njohur të biznesit në Shqipërinë e fillimit të viteve ’90. Më pas emri i Avllajt shfaqet në rrethin e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.
Një nga deklaratat më të forta për këtë marrëdhënie është bërë nga ish-ministri Dritan Prifti. Në vitin 2010, Prifti pretendonte se Avllaj kishte qenë shofer i Monika Kryemadhit gjatë periudhës kur Ilir Meta ishte kryeministër dhe se më pas Meta e kishte prezantuar me Edi Ramën. Këto janë pretendime të Dritan Priftit, por tregojnë se “Tan Lepuri” ishte futur prej kohësh në rrethin e politikës së nivelit të lartë.
Sot Ilir Meta ndodhet në paraburgim për çështjen penale të ngritur nga SPAK, ndërsa Monika Kryemadhi po përballet me procesin gjyqësor. Problemet e tyre me drejtësinë nuk kanë lidhje të provuar me Avllajn. Por për profilin e “Tan Lepurit” mbetet interesante se emri i tij është shfaqur pranë tyre shumë vite përpara se ata të përballeshin me drejtësinë.
Pastaj është Hashim Thaçi. Raportime të vjetra mediatike e kanë përshkruar Avllajn si person me marrëdhënie të afërta me Thaçin dhe e kanë lidhur atë edhe me PDK-në në Kosovë. Sot ish-presidenti i Kosovës ndodhet në Hagë, ku po gjykohet nga Dhomat e Specializuara. Edhe këtu nuk ekziston ndonjë lidhje mes çështjes së Thaçit dhe Avllajt. Por përsëri ngrihet e njëjta pyetje: si arrinte “Tan Lepuri” të krijonte marrëdhënie me njerëz që ndodheshin në majën e pushtetit?
Megjithatë, episodi që tregon më qartë se sa i vjetër është dyshimi mbi rolin e Avllajt si ndërmjetës mes biznesit dhe politikës është historia e famshme e “20 përqindëshit”. Ngjarja shpërtheu në vitin 2010, kur Edi Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës. Në qendër ishte një kontratë e kompanisë “Vision Construction”, ku Avllaj rezultonte me një pjesë prej 20 për qind. Opozita e atëhershme ngriti akuzën se kjo përqindje nuk ishte thjesht një marrëveshje normale biznesi, por shpërblimi që Avllaj do të merrte për të ndihmuar në kalimin e një studimi dhe sigurimin e një lejeje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës.
Pretendimi u bë edhe më konkret kur avokati Genc Gjokutaj, lexoj deklaraten noteriale në emër të biznesmenit Rrahman Selmanllari, sipas së cilës Avllaj kishte kërkuar 20 % të kontratës, duke marrë përsipër kalimin e studimit të zonës dhe marrjen e lejes së ndërtimit. Sipas deklaratës së publikuar atëherë, Avllaj ishte paraqitur si njeri i afërt me Edi Ramën dhe si person që mund të hapte dyert e Bashkisë. Akuza u perserit edhe nga Alban Vokshi. E kjo nuk mbeti vetëm debat politik.
Prokuroria e Tiranës hapi hetim penal për të verifikuar nëse kishte korrupsion, shpërdorim detyre apo një marrëveshje ku 20 për qind e aksioneve ishte dhënë në këmbim të sigurimit të lejes së ndërtimit. Avllaj dhe persona të tjerë të përfshirë në marrëveshje u morën në pyetje.
Por kjo histori ka edhe anën tjetër, që është po aq e rëndësishme. Hetimi nuk arriti të provonte akuzën e korrupsionit. Ish-Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama deklaroi më vonë se ishte zhvilluar një hetim i plotë dhe se personat e pyetur kishin pretenduar se hyrja e Avllajt në marrëveshje lidhej me investimin e tij financiar. Çështja u pushua. Pra, akuza e famshme e “20 përqindëshit” u hetua, por nuk u provua penalisht.
Megjithatë, historia është interesante sot për një arsye të thjeshtë. Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë emri i Dritan Avllajt hetohej pas pretendimeve se ai mund të siguronte leje ndërtimi duke përdorur lidhjet me njerëzit e pushtetit. Sot emri i tij shfaqet përsëri në një hetim ku po verifikohen marrëdhëniet me njerëz të pushtetit, kontrata dhe ndërmjetësime të mundshme.
Atëherë në qendër ishte Bashkia e Tiranës e drejtuar nga Edi Rama. Sot në qendër është dosja që lidhet me Belinda Ballukun. Dhe pikërisht këtu historia bëhet edhe më interesante. Sipas burimeve, Avllaj nuk është thjesht një njohje e Ballukut. Burimet e përshkruajnë si një person që gjatë viteve të fundit ka fituar besimin e saj dhe që mund të ketë pasur akses shumë më të madh nga sa është parë publikisht.
Pretendimi se ai mund t’i ketë propozuar Ballukut Skënder Hitën për drejtimin e Policisë së Shtetit e zgjeron edhe më shumë këtë pikëpyetje. Sepse, nëse një informacion i tillë konfirmohet, nuk do të flitej më vetëm për marrëdhënie biznesi apo kontakte me një ministre, por për mundësinë e ndikimit në diskutimet për një nga emërimet më të rëndësishme të shtetit. Dhe kjo është arsyeja pse telefoni i Avllajt mund të jetë me interes për hetuesit. Ai mund të tregojë me kë komunikonte, çfarë kontaktesh kishte dhe natyrën e këtyre komunikimeve. Se çfarë ka gjetur konkretisht SPAK në pajisje, deri tani nuk është bërë publike.
Kur vendosen të gjitha episodet në një vijë, del një personazh i pazakontë. Hajdin Sejdia. Ilir Meta. Monika Kryemadhi. Hashim Thaçi. Edi Rama. Belinda Balluku. Dhe tani, sipas burimeve, një pistë që të çon deri te Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Sot Sejdia është prej kohësh jashtë fuqisë ekonomike dhe politike që kishte dikur. Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë. Meta është në paraburgim në Shqipëri. Kryemadhi përballet me gjykimin. Balluku ka problemet e saj me drejtësinë. E dyshimi interesant është tjetër. Si ka mundur i njëjti person të gjendet, për kaq shumë vite dhe në periudha kaq të ndryshme, pranë njerëzve me kaq shumë pushtet? Çfarë u ka ofruar atyre? Çfarë kanë parë ata tek Avllaj? Dhe mbi të gjitha, sa ndikim ka pasur realisht “Tan Lepuri” në vendimmarrje pa pasur vetë një zyrë shtetërore?
Në vitin 2010 u hetua pretendimi se mund të hapte dyert e Bashkisë së Tiranës për leje ndërtimi dhe të merrte 20 për qind. Hetimi nuk e provoi. Në vitin 2026, telefoni i tij është në duart e SPAK dhe po verifikohen lidhjet e tij me njerëzit e Belinda Ballukut.
Ndërsa burimet ngrenë tashmë edhe një pikëpyetje tjetër: a ka qenë Dritan Avllaj njeriu që i sugjeroi Ballukut Skënder Hitën për të marrë drejtimin e Policisë së Shtetit? Por kemi një histori më shumë se 20-vjeçare që e bën pyetjen të vlefshme për t’u hetuar: kush është në të vërtetë Dritan Avllaj dhe deri ku shkojnë lidhjet e “Tan Lepurit” me pushtetin? (Mashqip)