Nga BIRN, tek News 24: Shantazhi për t’i mbyllur gojën mediave, që raportojnë protestën
Gjatë qeverisjes së tij të gjatë, Edi Rama nuk është përballur kurrë me një situatë të tillë, si kjo e protestave të përditshme poshtë zyrës së tij.
Pati edhe më parë dy protesta të mëdha kundër tij, ajo për armët kimike dhe ajo e studentëve, por arriti t’i mbyllë me shpejtësi, herën e parë duke u tërhequr dhe herën e dytë me ndihmën e PD dhe LSI, duke përçarë studentët.
Këtë gjë është përpjekur të bëjë edhe tani, duke futur lloj lloj njerëzish në protestë, për ta përçarë atë.
Por nuk ia ka arritur dot.
Ndaj dhe tani kanë kaluar në një tjetër nivel.
Atë të shantazhit. Jo vetëm ndaj protestuesve, por dhe gazetarëve dhe mediave që mbështesin dhe pasqyrojnë protestën
Fillimisht e nisën me një sulm të egër ndaj gazetarit Gjergj Erebara dhe BIRN.
Taulant Balla madje deklaroi se do bëjë një ankesë serioze tek ata që financojnë BIRN.
Dhe duket se “ankesa” e tij ka pasur efekt, pasi BIRN prej disa ditësh nuk shkruan më për protestën (ka publikuar veç ndonjë foto dhe video).
Të njëjtën gjë u përpoqën të bënin edhe me News 24 të Irfan Hysenbelliut, i cili për shkak të betejës së tij me Ramën, ka nxjerrë gjithë gazetarët në krye të protestës.
Për këtë arsye, Rama dy ditë më parë i çoi tatimorët në bizneset e veta, me qëllim për ta trembur.
Për momentin Hysenbelliu po reziston.
Por veprimet e mësipërme tregojnë se Rama dhe ata që ka në krah, do bëjnë çdo gjë të mundshme, për ta shuar protestën.
A do ia dalë? Koha do e tregojë!