16 Nëntor, 2026

Nga admirimi për Gjukanoviçin, te metamorfoza politike e Ramës me Vuçiçin

 Nga admirimi për Gjukanoviçin, te metamorfoza politike e Ramës me Vuçiçin

Nga Helio Terlaci

Më 26 gusht 2020, katër ditë para zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi, Edi Rama iu drejtua malazezëve me një videomesazh në mbështetje të Milo Gjukanoviçit. E mbylli me një serbishte të përgatitur për rastin: “Hvala, dragi Milo, što postojiš!” Faleminderit, i dashur Milo, që ekziston!

Katër ditë më vonë, partia e Gjukanoviçit humbi shumicën parlamentare pas tri dekadash dominimi. Rama kishte shkuar të bekonte vazhdimësinë e një pushteti; malazezët kishin vendosur t’i jepnin fund asaj. Ironia ishte e jashtëzakonshme: njeriu që falënderonte një udhëheqës për ekzistencën e tij po dëshmonte se një shtet mund të ekzistonte edhe pa të.

Gjukanoviçi ishte figurë e kontradiktave të mëdha. I ardhur në pushtet më 1991 si pjesë e elitës së lidhur me Millosheviçin, ai u shkëput gradualisht nga Beogradi, udhëhoqi Malin e Zi drejt pavarësisë më 2006, njohu Kosovën më 2008 dhe e anëtarësoi vendin në NATO më 2017. Vendime historike, veçanërisht për shqiptarët. Por trashëgimia e tij mbante edhe hijen e akuzave për korrupsion, kontrabandë, klientelizëm dhe lidhje të dyshuara me krimin e organizuar. Megjithatë, më 2020 humbi shumicën parlamentare dhe, tri vjet më vonë, edhe presidencën. Pushteti ndryshoi duar. Shteti mbeti.

Çfarë admironte Rama tek ai? Udhëheqësin që kishte sfiduar Beogradin, apo mjeshtrin e jetëgjatësisë politike, që kishte arritur ta shndërronte pushtetin personal në sinonim të stabilitetit kombëtar?

Përgjigjja bëhet më domethënëse kur ndiqet metamorfoza e miqësive të tij ballkanike.

Pas Gjukanoviçit erdhi Dritan Abazoviçi, të cilin Rama u përpoq ta afronte me Ballkanin e Hapur. Në samitin e Ohrit, më 2022, pjesëmarrja e tij si vëzhgues u paraqit si hap drejt përfshirjes së Malit të Zi, ndonëse një vendim i tillë nuk ishte marrë. Diplomacia personale kishte filluar të ecte më shpejt se institucionet.

Por marrëdhënia më domethënëse ishte ajo me Aleksandar Vuçiçin. Nga përplasjet e dikurshme për Kosovën, Rama kaloi në një afërsi demonstrative me të: përqafime, darka, samite dhe deklarata miqësie. Marrëdhëniet ndërmjet shteteve po merrnin gjithnjë e më shumë trajtën e marrëdhënieve ndërmjet udhëheqësve.

Dhe kush ishte partneri i kësaj diplomacie të përqafimeve?

Vuçiçi, ish-ministër i propagandës në kohën e Millosheviçit, e kishte ndërtuar dominimin e tij politik mbi një sistem ku kufijtë ndërmjet partisë, shtetit dhe pushtetit personal ishin zbehur gjithnjë e më shumë. Raportet ndërkombëtare dokumentonin përqendrimin e autoritetit, presionin ndaj mediave, dobësimin e pavarësisë së institucioneve, korrupsionin dhe lidhjet e dyshuara të elitave politike me krimin e organizuar. Serbia e tij ishte shndërruar në një shembull të kapjes së shtetit, ku zgjedhjet vazhdonin të mbaheshin, por kushtet e konkurrencës demokratike ishin cenuar rëndë.

Ndërkohë, ndaj Kosovës, Beogradi vazhdonte politikën e mohimit të shtetësisë, presionit diplomatik dhe tensioneve të vazhdueshme. Sulmi i armatosur në Banjskë, në shtator 2023, ku u vra një polic i Kosovës, nxori në pah rrezikun e dhunës së organizuar. Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Milan Radoiçiç, figurë e afërt me strukturat politike të pushtetit serb. Përfshirja personale e Vuçiçit nuk është provuar gjyqësisht, por ngjarja ngriti pyetje të rënda për marrëdhënien ndërmjet pushtetit politik, strukturave paralele dhe grupeve të armatosura.

Pikërisht me këtë udhëheqës Rama kultivonte një miqësi të ekspozuar publikisht, duke kërkuar njëkohësisht mirëkuptim ndërkombëtar për refuzimin e Serbisë për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë. Në vitet 2022–2023, ai argumentonte se Beogradi duhej trajtuar me kujdes për shkak të realiteteve të tij historike dhe politike.

Ndërsa për Vuçiçin kërkonte mirëkuptim, ndaj Prishtinës zgjidhte presionin. Kosova mbeti jashtë Ballkanit të Hapur dhe kundërshtimet e saj u paraqitën si pengesë për bashkëpunimin rajonal. Në qershor 2023, pak orë para mbledhjes së përbashkët të qeverive në Gjakovë, ku pritej të nënshkruheshin trembëdhjetë marrëveshje, Rama e anuloi njëanshëm takimin.

Beogradit i ofrohej mirëkuptim për kufizimet e veta politike; Prishtinës i kërkohej të paguante çmimin e kundërshtimit. Një diplomaci që pretendonte të kapërcente ndarjet ballkanike po thellonte përçarjen ndërmjet dy qeverive shqiptare.

Por historia rezervonte një ironi tjetër për Vuçiçin. Shembja e strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, në nëntor 2024, që mori gjashtëmbëdhjetë jetë, ndezi një lëvizje studentore kundër korrupsionit, mungesës së përgjegjësisë dhe kapjes së institucioneve. Protestat u shndërruan në një sfidë kombëtare ndaj sistemit të tij. As presioni policor, as retorika kundër kundërshtarëve nuk arritën ta shuanin atë.

Në shtator 2026, Vuçiçi dha dorëheqjen nga presidenca. Një muaj më vonë, lista e tij humbi zgjedhjet parlamentare përballë lëvizjes së mbështetur nga studentët. Pas katërmbëdhjetë vjetësh dominimi të partisë së tij, edhe ky pushtet u përball me kufirin e vet demokratik.

Gjukanoviçin e mundi vota. Vuçiçin e mundi vota. Dy udhëheqës që kishin ndërtuar pushtete jetëgjata zbuluan se shteti nuk ishte pronë e tyre.

Këtu rikthehet pyetja fillestare: çfarë admironte Rama te Gjukanoviçi? Shkëputjen nga Beogradi, njohjen e Kosovës, apo gjatësinë e pushtetit?

Nëse ishte e para, afërsia me Vuçiçin mbetet një kundërthënie e rëndë politike. Nëse ishte e dyta, metamorfoza bëhet më e kuptueshme. Sepse filli që lidh këto marrëdhënie nuk duket të jetë një vizion i qëndrueshëm për Ballkanin, por një mënyrë e të kuptuarit të politikës: udhëheqësit si protagonistë të historisë, institucionet si sfond i saj.

Dhe pikërisht këtu politika rajonale e Ramës takohet me modelin e tij të qeverisjes në Shqipëri.

Pas më shumë se një dekade në pushtet, përqendrimi i autoritetit, klientelizmi, koncesionet e kontestuara dhe skandalet e përsëritura të korrupsionit nuk mund të shpjegohen më si aksidente administrative. Ato ngrenë një akuzë politike ndaj vetë mënyrës së ushtrimit të pushtetit: vendimmarrja përqendrohet në majë, ndërsa përgjegjësia për pasojat zbret gjithmonë poshtë.

Saimir Tahiri, dikur ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Ramës, u dënua për shpërdorim detyre, jo për trafik narkotikësh. Më pas, çështjet e inceneratorëve, koncesioneve dhe tenderëve publikë e vendosën vazhdimisht qeverisjen përballë hetimeve dhe dyshimeve të rënda. Statuset juridike ndryshojnë, por pyetja politike mbetet: si mund të përsëriten skandalet në nivelet më të larta të pushtetit, ndërsa kryeministri të paraqitet përherë si i paprekur nga përgjegjësia për sistemin që drejton?

Nuk mund të jesh arkitekti i çdo suksesi dhe spektatori i pafajshëm i çdo skandali. Nuk mund të kërkosh besnikëri të pakushtëzuar dhe të shpallësh distancë absolute sapo vartësit përballen me drejtësinë. Përqendrimi i pushtetit dhe shpërndarja e fajit janë dy anët e së njëjtës mënyrë qeverisjeje.

Kur afërsia me pushtetin shndërrohet në përparësi ekonomike dhe institucionet humbasin aftësinë për të kontrolluar qeverinë, demokracia rrezikon të mbetet një procedurë elektorale pa përmbajtje të mjaftueshme institucionale. Shqetësimet për sjelljen e policisë gjatë protestave të tetorit 2026, për ndalimet dhe identifikimin e efektivëve, e bëjnë edhe më të mprehtë pyetjen për marrëdhënien e pushtetit me qytetarin që kundërshton.

Sepse pushteti nuk provohet me diplomatët që e përshëndesin, oligarkët që e rrethojnë apo udhëheqësit që e përqafojnë. Provohet me qytetarin që kërkon llogari.

Kjo është ironia e madhe e metamorfozës së Ramës. Ai admiroi Gjukanoviçin për jetëgjatësinë, kultivoi miqësinë me Vuçiçin në kulmin e dominimit të tij dhe kërkoi ta paraqiste diplomacinë personale si vizion rajonal. Por të dy udhëheqësit përfunduan duke dëshmuar një të vërtetë që politika e pushtetit të gjatë përpiqet ta mohojë: asnjë njeri nuk është i pazëvendësueshëm dhe asnjë pushtet nuk është i përjetshëm.

Historia ka një ironi të pamëshirshme: ata që e identifikojnë veten me shtetin, përfundojnë duke u përballur me qytetarët që ua kujtojnë dallimin.

Rama shkoi ta falënderonte Milon që ekzistonte. Ndoshta duhej ta kishte falënderuar për një mësim tjetër. Sepse tragjedia e pushtetit të gjatë fillon kur udhëheqësi nuk e dallon më shtetin nga vetja. Dhe demokracia fillon pikërisht aty ku qytetarët ia kujtojnë se shteti nuk është ai.

Hvala, Milo, što postojiš!

Faleminderit, Milo, që ekziston. Por mbi të gjitha, që na kujtove se shteti mund të ekzistojë edhe pa ty.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *