Nafta hap një front të ri mes SHBA-ve dhe Evropës
Shtetet e Bashkuara kanë rritur presionin ndaj Francës dhe Gjermanisë për të hedhur në treg një pjesë të rezervave emergjente të dieselit, duke paralajmëruar se në të kundërt mund të kufizojnë eksportet amerikane të këtij karburanti drejt Evropës.
Sipas Reuters, që citon tre persona të njohur me diskutimet, administrata e Presidentit Donald Trump u ka kërkuar dy ekonomive më të mëdha të Bashkimit Evropian të përdorin rezervat strategjike për të ndihmuar në uljen e çmimeve të larta të karburanteve në tregjet ndërkombëtare.
Një burim në një kryeqytet evropian tha për Reuters se Washingtoni i ka kërkuar BE-së të çlirojë 120 milionë fuçi diesel gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.
“Në interesin e Evropës është të punojë me Shtetet e Bashkuara, ndërsa ne ndjekim disa rrugë për të rritur furnizimin me produkte të rafinuara dhe për të ulur kostot për konsumatorët”, tha një zyrtar amerikan.
Trump kërkon të ulë çmimet në SHBA
Presioni vjen ndërsa Trump po shqyrton mundësinë e ndalimit të eksporteve të dieselit amerikan, në përpjekje për të ulur çmimet rekord në Shtetet e Bashkuara përpara zgjedhjeve të ndërmjetme të nëntorit.
Për Evropën, megjithatë, përdorimi i rezervave paraqet një dilemë. Vendet evropiane kërkojnë të frenojnë çmimet e karburanteve, por njëkohësisht duhet të ruajnë rezerva të mjaftueshme në rast se kriza e furnizimit përkeqësohet.
Komisioni Evropian, Gjermania, Franca, Italia, Britania dhe Irlanda zhvilluan të enjten një telefonatë për të diskutuar mundësinë e përdorimit të rezervave të dieselit, sipas dy zyrtarëve të BE-së të cituar nga Reuters.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë nuk i ka kërkuar ende Gjermanisë të përdorë rezervat, bëri të ditur Ministria gjermane e Ekonomisë.
Evropa më e varur nga karburanti amerikan
Presioni amerikan vjen në një moment kur Evropa është bërë më e varur nga furnizimet me karburant nga Shtetet e Bashkuara, pasi ndaloi importet ruse pas pushtimit të Ukrainës dhe furnizimet nga Lindja e Mesme janë goditur nga lufta SHBA-Izrael kundër Iranit.
Sipas Reuters, administrata amerikane është veçanërisht e pakënaqur me Francën dhe Gjermaninë, pasi zyrtarët në Washington besojnë se ato nuk kanë zbatuar plotësisht angazhimet e mëparshme për përdorimin e rezervave emergjente të naftës dhe produkteve të saj.