Na iku një njeri i mirë!
Nga Mentor Kikia
Dua të them dy fjalë për një burrë që sot u nda prej nesh. Nuk është një “figurë publike” që të përbëjë lajm. Ishte fqinji im, një një njeri i thjeshtë. Nuk po shkruaj një njoftim për ikjen, nuk i preferoj këto lloj njoftimesh në rrjet. Por thjeshtë dua t’ju “prezantoj” me një model njeriu që po i hasim gjithnjë e më rrallë sot.
10 vjet më parë, nisa të ndërtoj shtëpinë në fashtin Bërzhitë të Tiranës. Në ditën e parë të punës, kur shkova të shikoj ç’po ndodhte, punëtorët më thanë se një burrë u kishte sjellë kafe, ujë dhe nga një gotë raki. Kjo gjë ndodhi disa ditë me radhë. Unë nuk kisha askënd të njohur aty. Mësova se burri që u shërbente punëtorëve ishte fqinji, Gëzim Ahmetaj.
Pastaj u njohëm dhe u bëmë shumë miq. Mezi ç’prisja të më pyesnin të tjerët se si i ke fqinjët në fshatin ku ke shkuar të banosh. Nxitoja ti tregoja shpejt e shpejt se isha me fat për njerëzit që kisha afër.
Në një botë materialiste dhe interesash, njerëzit e mirë janë rralluar shumë. Rreth tryezës së ngushëllimeve, sot në mëngjes, gjithkush kishte një histori për të treguar për Gëzimin.
Në ikje, të gjithë njerëzit përcillen me fjalë të mira. Por Gëzimi nuk ka nevojë që të tjerët t’ia thonë këto fjalë “se kështu e do zakoni”.
Përkundrazi, edhe me ikjen, Gëzimi bëri bashkë shumë kujtime, shumë ngjarje që e plotësojnë edhe më mirë dimensionin e një njeriu të madh në shpirt dhe plot humor, që na shërben si mësim.
Mirësia dhe zemra e madhe janë pasuri. Smira, xhelozia, makutëria “lufta për gardhin”, grindjet mes fqinjëve dhe të afërmëve janë shndërruar në helm për shpirtin njerëzor. Gëzimi na tregoi se sa shumë vlen e kundërta e tyre.
Lamtumirë fqinj!
Lum kush do të të ketë afër atje në parajsë, ku jam i sigurtë se të takon vendi.
P.S: Kete foto ia kam bere une Gezimit, ne oborrin e shtepise se tij, ndersa e bera “bashkepunetor” ne nje dokumentar per ujin.