21 Maj, 2026

Moza dhe gomari

 Moza dhe gomari

Nga Arben Rrozhani

Mimoza Ahmeti po shndërrohet në një person “për t’i shtuar një lugë në shtëpitë tona”, siç thonë për njerëzit që fryhen befas dhe popullarizohen aq shumë sa çdokush flet për të. Futja e saj në një spektakël që rri bythë më bythë me BBVA, u ka dhënë krahë vlerësimeve epike të komentuesve për gruan 63-vjeçare. Shumica thonë se Moza po zhvlerwson sa herë hap gojën këta personazhet e ashtuquajtur VIP-a që janë analfabetë funksionalë, mbështjellë me silikon dhe fillera, pa tru dhe bosh nga brenda, se po rilind brezin e harruar të mëse 30 viteve më parë, se po shkëlqen dhe kënaq njerëzit me batutën, thellësinë e fjalës dhe të mendimit.

Shumica e komentimeve bashkohen në një pikë: Mimoza Ahmeti paska lindur tani që është futur në një format spektakli duke na treguar një grua të ftilluar, që flet spontanisht ato që mendojnë shumica prej nesh.

Mimoza Ahmeti është dikushi në Shqipëri dhe kështu e njohim. Poete, prozatore, piktore dhe moderatore nuk ka munguar që në fundin e viteve ’80 të shekullit të kaluar në rrethin e intelektualëve të shumtë që ka patur vendi. Por është bërë e dallueshme sepse ka treguar në artin e vet se ka “një dërrasë mangët”, siç ndodh përgjithësisht me të gjithë artistët ekstravagantë apo që preferojnë të shkojnë kundër rrymës.

Vargu “Që je gomar kjo është diçka që duket” që ajo thoshte se ia kishte kushtuar mikut të saj Edi Rama, u shkrua mëse 30 vite më parë, si pjesë e përmbledhjes me 53 poezi të titulluar “Delirium” dhe është bërë viral tani sepse ajo fyen kryeministrin aktual dhe nuk ka asnjë vlerë letrare, përveçse ngazëllen urrejtësit e kreut të qeverisë.

Këngët e saj janë trash. Teksti i këngës “Në mbretërinë e xhuxhave”, me vargje të tilla si “Në mbretërinë e xhuxhave/ desha të dashuroj/ Në mbretërinë e xhuxhave/ desha të mbretëroj/
Një xhuxh i kuq/ më doli huq/ Një xhuxh blu/ aty këtu.” të ngjall krupë artistike, pavarësisht se dikush mund të thotë se ka kontekst politik në Shqipërinë e postdiktaturës dhe nga dëgjuesit përcillet me ilaritet prej zërit të çjerë të këngëtares.

Batutat e saj në shtëpinë e mbyllur këto pak ditë janë përtej banales: “kastraveci shqiptar është i fortë”; “veshje kërkova underwear, sipërwear”; “ të dalim si njerëz se unë jam copë-copë”; “vëri një banane sipër pi…”, “Do të lahem ashtu siç më ka bërë nëna, se plasa. S’po e zgjidh dot gjëegjëzën, e kam në tru si të lahem, si të lahem?” “dua të lahem në mënyrë të sinqertë”; “na duhen groshë dhe bajga gomari”; “ky gomari tani ka pesë këmbë” etj., etj. duke çuar në delir komentuesit, ndjekësit dhe miqtë e Mozës.

Moza Ahmeti thotë se është aty për një kauzë fisnike që të ndihmojë dikë dhe kjo është për t’u vlerësuar shumë. Ajo ka dalë nga një shtëpi ku jeton me 1001 probleme dhe aq e izoluar sa që ndaj ndjehet aq e qetë dhe vetvetja me shumë miqësira të reja që ka krijuar në shtëpinë e spektaklit, sa edhe vetë çuditet.

Por…Moza është futur në shtëpinë e gabuar. Ajo mund të shtojë me disa dhjetra mijëra ndjekësit në rrjetet sociale, mund të jetë më e pëlqyera e publikut, të ngrohë zemrat e miqve dhe dashamirësve, të shtojë kuotat e moderatores së përvëluar për rikthimin në këto kuvlitë me shumë kamera që është edhe kuzhiniere aq e shquar saqë u servirte si recetë për iftar muslimanëve pançetë derri me verë të kuqe. Por Moza, padashje, është një zë i fortë në shërbim të trushplarjes së publikut, mbërthimit të tij para historive boshe pa mendim dhe thelb, largimit të vëmendjes prej plagëve të vendit.

Moza e dashur është vënë në shërbim të gomarit (jo atij që ka fermë), por të mikut të saj, kur nafta ka shkuar 222 lekë apo më shtrenjtë se në vendet më të pasura të botës; ku çmimet e produkteve bazë kanë kapur qiellin dhe më shumë do të rriten nga importet e shtrenjta dhe rrënimi i prodhimit vendas; ku shumica jetojnë për bukën e gojës; ku gjithçka është në duart e disa personave që prej vitesh mbledhin frytet e shndërrimit të shoqërisë në fermën e Xhorxh Uruellit, ku Moza është ylli i ditëve të sotme. Ndaj Mozë e dashur, thuaj edhe batutën e fundit dhe dil prej aty, lëri në mjerimin e tyre dhe kthehu në Shqipërinë reale të 1001 dramave, qeverisur nga miku mikut yt, gomari.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *