Monica Witt, ish-oficerja amerikane që tradhtoi SHBA-të për Iranin
Historia e Monica Witt, ish-oficere e Inteligjencës amerikane, e cila dezertoi drejt Iranit në vitin 2013, po rikthehet sërish në qendër të vëmendjes, mes tensioneve të reja në Lindjen e Mesme dhe luftës që po zhvillohet në Iran.
Witt, një ish-specialiste e forcave ajrore amerikane dhe kontraktore e Qeverisë së SHBA-ve, konsiderohet përgjegjëse për një nga tradhtitë më të mëdha të Inteligjencës moderne amerikane. Ajo akuzohet se i dorëzoi regjimit iranian informacione të klasifikuara për operacionet sekrete amerikane, identitetet e agjentëve dhe mënyrat sesi SHBA monitoronte komunikimet e huaja.
Sipas raportimeve, radikalizimi i saj nisi pas pjesëmarrjes në një konferencë në hotelin “Parsian Azadi” në Teheran, ku morën pjesë figura pranë Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC), akademikë ekstremistë dhe mohues të Holokaustit. Pas kthimit në SHBA, Witt u largua përfundimisht drejt Iranit në gusht të vitit 2013.
Autoritetet amerikane besojnë se ajo ndihmoi Iranin të identifikonte burime të dyfishta brenda strukturave iraniane që bashkëpunonin fshehurazi me SHBA-të. Ekspertët paralajmërojnë se informacionet e saj mund të kenë çuar në arrestime dhe ekzekutime të mundshme të informatorëve.
FBI publikoi javën e kaluar një apel të ri për informacion mbi vendndodhjen e saj, duke ofruar një shpërblim prej 200 mijë dollarësh. Sipas hetuesve amerikanë, Witt vazhdon të mbështesë aktivitetet e regjimit iranian edhe sot.
Megjithatë, disa ish-zyrtarë të inteligjencës amerikane besojnë se vlera e saj për Teheranin po zbehet. Jonathan Hackett, ish-oficer i operacioneve speciale amerikane në Lindjen e Mesme, deklaroi për “The Times” se regjimi iranian mund ta përdorë Witt si pjesë të negociatave me SHBA-të për të ulur tensionet.
“Ajo dinte shumë dikur, por informacioni që zotëron ka limitet e veta. Nëse Irani kërkon lëshime apo marrëveshje, Monica Witt mund të kthehet në një kartë shkëmbimi”, u shpreh ai.
Sipas raportimeve, Witt besohet se jeton në një vend sekret brenda Iranit dhe ka shërbyer si këshilltare për kundërzbulimin iranian, duke ndihmuar autoritetet të ndryshojnë metodat e survejimit, komunikimit dhe rekrutimit të agjentëve.
Rasti i saj mbetet një nga episodet më të errëta për komunitetin amerikan të inteligjencës dhe rikthimi i emrit të saj në publik ka ngritur spekulime se SHBA mund të jetë duke përgatitur terrenin për një marrëveshje të mundshme me Iranin.