Misteri: Nipi i Kadyrov-it bëhet miliarder brenda natës në Rusi
Familjarë dhe aleatë të afërt të liderit çeçen Ramzan Kadyrov kanë përfituar miliona pas sekuestrimit nga Kremlini të bizneseve perëndimore në Rusi, sipas një hetimi të projektit Explainer të publikuar nga The Moscow Times.
Sipas raportit, pas marrjes nën kontroll nga shteti të operacioneve të gjigantit francez të ushqimit Danone në Rusi, nipi i Kadyrov-it, Yakub Zakriev, dhe ish-ndihmësi i tij Ruslan Alisultanov janë kthyer në miliarderë brenda një kohe të shkurtër.
Në korrik 2023, Zakriev u emërua drejtues i Danone Russia, kompani që më pas u riemërua “Logika Moloka”.
Vetëm pak muaj më vonë, ai bleu një pronë luksoze pranë Moskës me vlerë të vlerësuar rreth 1 miliard rubla, ndërsa dokumente bankare tregojnë se në fillim të vitit 2024 ai hapi një depozitë prej 1.5 miliard rubla në Gazprombank.
Hetimi pretendon se Zakriev, i cili më parë mbante poste rajonale në administratën çeçene, tani i paguan vetes deri në 14 milionë rubla në muaj në formë page dhe bonusesh.
Edhe më shumë thuhet se ka përfituar Ruslan Alisultanov, i listuar si përfituesi i vetëm i kompanisë së re të bulmetit, i cili sipas raportit zotëron depozita mbi 4 miliard rubla dhe ka blerë një apartament luksoz pranë Kremlinit me vlerë 3 miliard rubla.
Danone, që operonte në Rusi që prej vitit 1992, vendosi të largohej nga tregu pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.
Në korrik 2023, presidenti rus Vladimir Putin firmosi dekretin për kalimin e përkohshëm të aksioneve të kompanisë nën administrimin shtetëror, përpara se asetet të kalonin në duart e kompanive të lidhura me aleatët e Kadyrov-it.