Misteri: A u takuan Rama dhe Berisha në zonën “VIP” të aeroportit të Rinasit?
Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka ngritur pikëpyetje mbi praninë e kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës, Sali Berisha në të njëjtën kohë, në aeroportin e Rinasit. Salianji i ka kërkuar kreut të Partisë Demokratike të bëjë publike nëse është takuar me kryeministrin dhe, nëse po, çfarë është biseduar mes tyre.
Çuditërisht, Rama dhe Berisha u gjendën këtë të diel në aeroport pothuajse në të njëjtën kohë. Kryeministri sapo ishte kthyer nga vizita në SHBA dhe më pas dha mesazhin e tij publik për zhvillimet e fundit, ndërsa Berisha ndodhej në Rinas për t’u nisur drejt Strasburgut.
Salianji ngre pretendime se kjo nuk është hera e parë që dy kundërshtarët politikë gjenden “rastësisht” në zonën VIP të aeroportit.
“Sali Berisha ka detyrimin politik dhe moral të bëjë publike çfarë është biseduar me Edi Ramën në aeroport. Çfarë u diskutua? A u tërhoq Edi Rama nga dorëheqja pas kësaj bisede? A u diskutuan garanci të ndërsjella për paprekshmërinë e njëri-tjetrit? A pati ndonjë marrëveshje për të mbajtur Shqipërinë peng të një skeme të vjetër politike?”, pyet Salianji.
Ai thekson se prania e njëkohshme e Ramës dhe Berishës në zonën VIP të Rinasit kërkon transparencë, veçanërisht pasi, sipas tij, kjo është hera e dytë që një rastësi e tillë ndodh. Salianji theksoi se Shqipëria nuk duhet të mbahet peng nga marrëveshje të fshehta dhe pazare politike mes Berishës dhe Ramës.
“Janë pyetje që qytetarët kanë të drejtë t’i bëjnë dhe që kërkojnë transparencë pasi u ber hera e dyte “që rastesisht” tek pjesa VIP e aeroportit gjendet Rama dhe Berisha njekohesisht. Shqipëria nuk mund të mbahet peng nga marrëveshje të fshehta, pazare politike apo garanci personale”, përfundoi Salianji postimin e tij në platformën “X”.
Reagimi i Salianjit vendos në shënjestër të kritikave si mazhorancën, ashtu edhe drejtimin e Partisë Demokratike. Ndërsa ndaj Ramës kërkon reagim qytetar dhe protesta për largimin e tij nga pushteti, nga Berisha kërkon transparencë dhe një shpjegim publik për atë që, sipas tij, ka ndodhur sot në Rinas. Qëndrimi vjen vetëm dy ditë pasi Salianji deklaroi se vijimi i Berishës në krye të PD-së përbën, sipas tij, një “garanci” për qëndrimin e Ramës në pushtet.