Mirela Kumbaro sheh e habitur pamjet e studentëve mbi njëri-tjetrin e kërkon ndjesë
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro ka reaguar pas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, ku shfaqen radhë të gjata dhe kaos gjatë regjistrimeve të studentëve në Universitetin e Mjekësisë. Përmes një postimi në Facebook, Kumbaro ka publikuar mesazhin e një prindi, i cili u kërkon shpjegim për situatën, duke u shprehur se ndodhet prej mëngjesit aty.
Ajo shprehet se ato pamje edhe vetë atë e kanë shqetësuar dhe se procesi duhet të ishte organizuar më mirë. Sipas saj problemi lidhet me faktin se procesi i regjistrimit në universitete zhvillohet në një platformë ndryshe nga shërbimet e tjera arsimore, të cilat janë të digjitalizuara.
Gjithashtu në postim Kumbaro i bënë thirrje Universitetit të Mjekësisë që të përmirësojë organizimin e regjistrimeve, duke theksuar se edhe një proces që zhvillohet fizikisht mund të menaxhohet mirë. Po ashtu ajo thekson se ky do të jetë viti i fundit që ndodh një skenë e tillë.
“Nga ana tjetër i bëj thirrje Universitetit të Mjekësisë për një organizim më të mirë të këtij procesi, që sado fizik, mund të organizohet më mirë. Urojë dhe shpresoj dhe besoj që universitetet e tjera janë duke koordinuar më mirë këtë proces. Gjithsesi ky do të jetë viti i fundit kur ndodh një skenë e tillë,” thekson ajo në postim.
Reagimi i plotë:
Pamjet që sapo ndoqët edhe ju më erdhën edhe mua në telefonin tim vetëm pak para minutash nga një zotëri nga një qytetar, i cili më shkruan: “Përshëndetje znj.Ministre! Jam që në mëngjes që pres regjistrimin e vajzës, e cila ka fituar për të vazhduar universitetin e mjekësisë. Këtu është një rrëmujë e paparë. Pse ndodh kjo se kuptoj.” Kë shumë të drejtë. Edhe mua më shqetësojnë jashtëzakonisht shumë këto pamje dhe më vjen jashtëzakonisht shumë keq që ndodh. Akoma më shumë më vjen keq, ndërkohë që gjithë provimi i 1414 maturantëve që donin të konkurronin për mjekësi ndodhi pa asnjë lloj problematike, i tëri në format të digjitalizuar pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore.
Ashtu sikurse i gjithë procesi, që nga regjistrimi në klasë të parë dhe në maturë, është i tëri digjital i ofruar nga agjencia jonë AKSHI, pa asnjë lloj shqetësimi dhe pa pasur nevojë që një prind apo një student duhet të zhvendoset nga banesa e vet. Ndërpritet ky proces në momentin e aplikimit për në universitete në një tjetër platformë. Dhe kjo është arsyeja pse studentët fitues tek ajo platformë, detyrohen të shkojnë fizikisht nëpër universitet për t’u regjistruar me një letër, që është në fakt diploma e maturës, që e shkarkojnë nga sistemi ynë digjital. Dhe pastaj universiteti i rikthen prapë në sistemin digjital për t’u matrikukuar si studentët dhe për të vazhduar të gjithë studimet e larta universitare në platformën e përgatitur sërish nga AKSHI. Dhe ajo që ne do të bëjë menjëherë të qartë është që të evitojmë këtë ndërprerje.
Është i vetmi hap i cili del nga shërbimi i Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Aplikimi nëpër universitete. Do duhet ta përfshijë këtë brenda Aghencisë së re të Shërbimeve Arsimore, e cila po reformohet totalisht me teknologji të re, që këto pamje t’i përkasin vetëm të shkuarës. Dhe do të kemi një zinxhir të pandërprerë për vitin tjetër, ku që nga klasa e parë, deri sa të mbarojnë studimet e larta, gjithçka do të jetë digjitale dhe nuk do të jetë më nevoja që studentët të bredhin nëpër dyert e universiteteve për t’u regjistruar edhe për t’u rifutur sërish në sistem. Nga ana tjetër i bëj thirrje Universitetit të Mjekësisë për një organizim më të mirë të këtij procesi, që sado fizik, mund të organizohet më mirë. Urojë dhe shpresoj dhe besoj që universitetet e tjera janë duke koordinuar më mirë këtë proces. Gjithsesi ky do të jetë viti i fundit kur ndodh një skenë e tillë.