15 Qershor, 2026

Ministria e Tredhjes së Adoleshentëve

 Ministria e Tredhjes së Adoleshentëve

Nga Kaon Serjani

Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë për trajtimin hormonal të të ashtuquajturve “njerëz transgjinorë” nuk është thjesht një dokument administrativ mjekësor, por hapi final institucional i normalizimit të ndryshimit të gjinisë në Shqipëri.

Janë disa gjëra që nuk duhet të na shpëtojnë pa u vënë re tek ky urdhër.

Së pari, duhet të vëmë re se, për institucionet shtetërore shqiptare, debati nëse gjinia mund të ndryshohet apo jo është mbyllur; tani është koha e veprimit.

Deri tani ka pasur një debat publik, i cili zhvillohej në nivel përkufizimesh dhe formulimesh ligjore, dhe që mori vëmendje publike sidomos përmes ligjit “Për Barazinë Gjinore”, që kaloi në Parlament në vjeshtën e vitit 2025.

Tani, për shtetin shqiptar, koha e fjalëve ka mbaruar. Kemi mbërritur te formulimi i protokolleve mjekësore dhe përgatitja e dozave për të nisur terapinë hormonale për njerëzit që ndiejnë një pakënaqësi apo konfuzion me gjininë e tyre biologjike.

Së dyti, duhet të vëmë re se Udhëzuesi i Praktikës Klinike që shoqëron urdhrin njeh faktikisht të paktën dy kategori të reja gjinore: “mashkull transgjinor” dhe “femër transgjinore”.

Sipas udhëzuesit, “një mashkull transgjinor” është një femër që kthehet me terapi mjekësore në mashkull, ndërsa “femër transgjinore” është një mashkull që kthehet me terapi mjekësore në femër. E thënë me fjalë të tjera, nga tani e tutje, për administratën mjekësore shqiptare ka të paktën katër gjini:

(1) femër,

(2) mashkull,

(3) femër transgjinore,

(4) mashkull transgjinor.

Duhet të kujtojmë se nuk ka një ligj në legjislacionin shqiptar që të pengojë njohjen e më shumë se dy gjinive. Ligji “Për Barazinë Gjinore” nuk e ndalon njohjen e këtyre gjinive të reja, pasi ai e trajton gjininë si rol social dhe jo si të lidhur me seksin biologjik.

Ky urdhër, së bashku me ligjin “Për Barazinë Gjinore”, ekspozon qartë se shteti shqiptar nuk është më një entitet neutral. Ai nuk po qëndron në distancë përballë një debati kulturor e moral. Për të, debati është mbyllur. Dhe tani ai po përdor autoritetin e vet ligjor, administrativ dhe mjekësor për të imponuar në praktikë një kuptim të ri të gjinisë.

Kur gjatë debatit për ligjin e barazisë gjinore shumë prej nesh ngritëm shqetësimin se ligji lë hapësirë për njohjen e kategorive të reja gjinore, pati një dozë skepticizmi nga disa.

U tha se këto ishin frikëra të ekzagjeruara dhe se nuk kishte arsye për alarm.

Po tani?

Tani kemi një sistem shëndetësor që përgatitet të trajtojë zyrtarisht kategori gjinore me emërtimet “mashkull transgjinor” dhe “femër transgjinore”.

Ajo që dje u quajt frikë e ekzagjeruar, sot u paraqit si udhëzues për praktikën klinike.

Së treti, çështja më alarmante me këtë urdhër administrativ është se trajtimi hormonal do të ofrohet edhe për moshën 14–18 vjeç, pra për persona që janë ende në zhvillim psikologjik, emocional dhe seksual.

Duke marrë parasysh kriteret që ka ky urdhër për fillimin e trajtimit hormonal, mjafton që personi të ketë përjetuar, për të paktën gjashtë muaj, një shqetësim/konfuzion të vazhdueshëm lidhur me gjininë e tij ose të saj.

Imagjino një adoleshent ose adoleshente që pranon se ka gjashtë muaj që përjeton një mospërputhje mes asaj se si ndihet dhe seksit të vet biologjik.

Ky konfuzion, i zakonshëm te një pjesë e adoleshentëve dhe që mund të jetë i përkohshëm, do të mjaftojë për të hapur rrugën drejt ndërhyrjeve hormonale që prekin zhvillimin seksual, karakteristikat biologjike, si dhe fertilitetin e personit.

Por çfarë ndodh kur kjo gjendje e përkohshme të kalojë, siç ndodh zakonisht?

Me fjalë të tjera, çfarë ndodh nëse pas dy vitesh ai person nuk ndihet më njësoj dhe dëshiron të kthehet në gjendjen e mëparshme fiziologjike?

Për fat të keq, kjo nuk do të jetë e mundur.

Disa nga ndryshimet fizike, dhe sidomos ato riprodhuese, nuk janë të rikthyeshme. Me shumë gjasë, edhe disa nga pasojat psikologjike nuk do të jenë të rikuperueshme.

Ministria që duhet të quhet e Shëndetësisë, në fakt, po aprovon protokolle për sterilizimin apo tredhjen e të rinjve shqiptarë dhe, për rrjedhojë, edhe për dëmtimin e tyre psikologjik me pasoja të pakthyeshme.

Së katërti, duhet të vëmë re se Ministria jonë ka aprovuar protokollet e sterilizimit të adoleshentëve me financim nga taksapaguesit shqiptarë.

Pse duhet që qytetarët shqiptarë të financojnë me taksat e tyre procedura që shumë prej tyre i konsiderojnë moralisht të papranueshme dhe shkatërruese për njeriun, e aq më tepër për të miturit?

Pse duhet që sistemi publik shëndetësor, i cili ka mungesa të mëdha mjeksore në shumë fusha bazike, të përdoret për të mbështetur ndërhyrje hormonale të lidhura me një agjendë ideologjike?

Së fundmi, të njohësh një konfuzion real në lidhje me gjininë te njeriu nuk do të thotë se zgjidhja është terapia hormonale, që praktikisht çon te tredhja apo sterilizimi.

Teologjia e krishterë na mëson se çdo njeri, pavarësisht konfuzionit apo betejave të brendshme që përjeton si pasojë e rënies, është krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë dhe duhet trajtuar me dinjitet.

Ideologjia transgjinore nuk e trajton njeriun e konfuzuar me dinjitet, sepse e shtyn atë të shkëputet nga e vërteta biologjike e trupit të vet. Dhe këtë po merr përsipër edhe administrata mjekësore e shtetit tonë, duke u kthyer kështu në instrument të ideologjisë transgjinore.

Ndihma që i duhet njeriut të rënë e të konfuzuar është dhembshuria, dhe shpeshherë edhe ndihma mjekësore; por kurrsesi nuk mund të quhet dhembshuri apo ndihmë mjekësore nëse kjo i shkakton atij ndarjen nga e vërteta fizike dhe biologjike e trupit të vet.

Kjo nuk është ndihmë shëndetësore, por dhunim i dinjitetit të tij.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *