24 Gusht, 2026

Mbrojtja e Ramës për “mikun” e tij Zelensky nga “nacionalistët shqiptarë”, bie erë

 Mbrojtja e Ramës për “mikun” e tij Zelensky nga “nacionalistët shqiptarë”, bie erë

Nga Melazim Koçi

Edi Rama sërish paska zbuluar “nacionalistët më të zëshëm në Tiranë dhe Prishtinë”, këtë herë për shkak të deklaratave të presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelenski (të cilit i drejtohet me “miku im”). Sipas Ramës, ata gjoja kanë kërkuar “të hiqet dorë nga Ukraina” dhe disa madje paskan “brohoritur për Rusinë”.

Kjo është një nga të pavërtetat më të mëdha që Edi Rama mund të thotë.

Lufta e drejtë dhe heroike e Ukrainës kundër agresionit brutal rus rrallëkund në botë ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetje më të madhe sesa në Shqipëri dhe Kosovë.

Por, kjo luftë nuk është luftë personale e Volodimir Zelenskit, të cilin presidenti Trump, vitin e kaluar e cilësoi “diktator” dhe e dëboi nga Shtëpia e Bardhe. Nuk më kujtohet nëse në atë kohë Edi Rama kishte dalë në mbrojtje te mikut të tij Zelenski, dhe nëse për këtë e kishte cilësuar presidentin Trump “nacionalist”.

Edi Rama duhet të kuptojë se “nacionalistët shqiptarë” nuk kishin si të heshtnin, sepse Zelenski më shumë se Prishtinën, goditi politikën 36-vjeçare të Perëndimit për Kosovën.

Nuk është halli te mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Ukraina. Për shkak te gjendjes së luftës në Ukrainë, askush nuk i ka kërkuar Zelenskit që ta bëjë këtë.

Por ajo që Edi Rama nuk e kupton ose nuk dëshiron ta kuptojë, është se me deklaratat e Zelenskit në Beograd u goditën parimet bazike të NATO-s, SHBA-ve, BE-së dhe GJND-së në raport me Kosovën.

Zelenski në Beograd deklaroi se “pavarësia e Kosovës është shpallur njëanshëm”. Rama dhe miku i tij Zelenski duhet ta dinin se pavarësia e Kosovës erdhi pas një procesi shumë të gjatë diplomatik dhe bisedimeve në Vjenë, ku morën pjesë faktorët kryesorë të skenës ndërkombëtare.

Më tej, Zelenski pohon se, duke refuzuar njohjen e Kosovës, ai është në mbrojtje “të të drejtës ndërkombëtare”.

Rama dhe miku i tij duhet ta dinin se në vitin 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Është pikërisht miku i Rames, Volodimir Zelenski, ai që mban një qëndrim që bie ndesh me interpretimin që ka dhënë GJND-ja.

Kë ka goditur miku i Rames me këto deklarata?

Përveç Kosovës, hiq më pak se NATO-n, SHBA-të, BE-në dhe GJND-në. Këto janë fjalë për fjalë teza dhe qëndrime që prej vitesh përdorin Rusia, Kina dhe Serbia.

Edi Rama nuk do të duhej të solidarizohej me ata që godasin parimet bazike të botës perëndimore, dhe që përmes tyre, synojnë të delegjitimojnë pavarësinë e Kosovës, qoftë ky edhe miku i tij Zelenski. Ata që kanë ndjekur politika të tilla antiperëndimore nuk kanë kaluar mirë.

Në vend të deklaratave të shpifura për “nacionalistët shqiptarë”, Edi Rama do të bënte mirë të na tregonte pse Kievi e përjashtoi njëanshmërisht Kosovën nga dy samitet e fundit “Ukrainë – Evropë Juglindore” në Odesa (11 qershor 2025) dhe në Kiev (15 korrik 2026).

Në tri samitet e mëparshme në Dubrovnik, Tiranë dhe Athinë, Kosova kishte qenë pjesëmarrëse.

A e ka pyetur Edi Rama mikun e tij Zelenski pse e përjashtoi Kosovën nga këto dy samite?

Dhe a do të kishte qenë më dinjitoze që t’i thoshte: “Pasi me kërkesën e Vuciçit, përjashtove Kosovën nga takimet në Odesa dhe Kiev, as Shqipëria nuk do të marrë pjesë?”

Këtë nuk e ka bëre dhe kjo nuk i bën nder.

Aq më pak të bën nder të trillosh e sajosh “nacionalistë shqiptarë”, të cilët kanë bërë vetëm një “mëkat”: mbrojtën dinjitetin e Kosovës nga deklaratat skandaloze dhe kalkulimet meskine të mikut tënd Volodimir Zelenski.

Nëse Edi Rama supozon se, duke dalë në mbrojtje të Zelenskit, ka përfituar ndonjë bonus në Perëndim, kalkulimin e ka shumë të gabuar.

Pse?

Sepse pozicionet e Zelenskit në raport me Kosovën janë në harmoni të plotë me qëndrimet e Serbisë, Rusisë dhe Kinës. Edi Rama do të duhej të distancohej qartë nga këto qëndrime anti-Kosovë dhe antiperëndimore; përndryshe me ose pa vetëdije, rrezikon të bëhet bashkëpjesëmarrës në legjitimimin e tyre.

Pikërisht këtë kanë bërë ata që ai i cilëson “nacionalistë shqiptarë”: janë distancuar nga qëndrimet e Zelenskit që janë identike me ato të Rusisë, Kinës dhe Serbisë.

Tani i mbetet Edi Ramës të na tregojë qartë: në cilën anë është?

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *