21 Maj, 2026

Mbretëresha shqiptare e Iranit

 Mbretëresha shqiptare e Iranit

Nga Ermal Mulosmani

Përpara se të shkruaj për të, duhet të shkruaj pak fjalë për Mbretërinë e Iranit (Shahun), trashëgiminë e Pehlavëve.

Mbretëria e Iranit prej dinastisë Pehlav, është relativisht e re. I pari i tyre ishte Reza Pehlavi, një oficer kozak, komandant lufte dhe njeri i dhunshëm e autoritar. Ai u bë mbret pasi rrëzoi Mbretin ekzistues në vitin 1925.

Pra vetëm 100 vjet përpara.

Duke qenë se Mbretëria e Rezait ishte e brishtë dhe vendi i varfër, për të konsoliduar pozitat dhe me këshillën e Mustafa Kemal Ataturkut, Reza Pehlavi i kërkoi dorën motrës së Mbretit Faruk të Egjiptit, Princeshës Fawzia për djalin e tij Muhamed Reza Pehlavi (Shahu i Iranit prej vitit 1941 deri në 1979).

Ishte viti 1937, Muhamedi ishte vetëm 18 vjeç dhe nën autoritetin brutal të babait të tij, Rezait.

Aso kohe, Egjipti ishte vend ku e ku më i zhvilluar sesa Irani, Dinastia e shqiptarëve të Egjiptit sundonte prej 130 vitesh (Muhamed Ali Pasha).

Faruku, Mbreti i Egjiptit, vëllai i Fawzia-s, ishte aso kohe 17 vjeç. Princi i Iranit – 18 vjeçar, shkon në Egjipt te Mbreti 17 vjeçar për t’i kërkuar të motrën.

Imagjinoni pak dy adoleshentë, njëri Mbret e tjetri Princ që diskutonin për martesën e ardhshme politike. Të dy palët shihnin vetëm interesa politike në këtë lidhje, Princesha Fawzia ishte jashtë çdo vendimi. Si martesat me shkuesi në Shqipërinë e atyre viteve (por edhe më vonë).

Faruku ishte mendjemadh dhe jetonte në luks ekstrem. Jetonte vetëm për tu kapardisur, ndonjëherë edhe merrte ndonjë vendim por me përtesë të madhe. Kur i erdhi ky kalaveshi nga Irani mendoi ta poshtëronte pak me stil. E çoi në të gjitha vendet më luksoze të Mbretërisë dhe e la pa mend. Muhamedi ndjehej thellësisht inferior.

Megjithatë Faruku e pranoi propozimin dhe shtroi një banket luksoz me 20 pjata për martesën e motrës së tij me adoleshentin iranian me prejardhje kozako-gjeorgjiane (nëna e tij ishte muslimane nga Gjeorgjia).

Dasma ndodhi në vitin 1939. Një qytet në Iran, Fawziabad, u emërua për Princeshën Fawzia po atë vit.

Fawzia – Mbretëreshë

Në vitin 1941 Muhamedi bëhet Mbret i Iranit dhe Fawzia Mbretëreshë. Por thellë brenda vetes, ajo kurrë nuk u bë gruaja e Mbretit. Ata kishin një martesë formale dhe Fawzia ishte me mendje në Egjipt.

Mbreti i Iranit ishte në dalldinë e pozitës së re dhe e keqtrajtonte të shoqen. Keqtrajtimi ishte në fakt nga gjithë familja, sidomos nga nëna gjeorgjiane e Shahut. Ajo nuk pranonte ta ndante të birin me dikë tjetër. Por edhe një motër binjake me Shahun, e keqtrajtone Mbretëreshën. Ajo u ndie si mish i huaj në Iran. Asnjë ditë të lumtur nuk pa.

Shtypi ndërkombëtar e quajti “Mbretëresha e trishtuar”.

Përbuzja ishte reciproke. Por Fawzia ishte ku e ku më dinjitoze nga kapardisësi që ia dridhte në mënyrë demonstrative me gra të tjera. Fawzia e përshkruante atë si “një njeri të dhunshëm dhe bandit, të prirur për të sulmuar njerëzit me kamzhik ose me kalë.”

Në dallim nga ushqimi francez me të cilin ishte rritur në Egjipt, Fawzia e konsideronte ushqimin në oborrin iranian nën nivelin e duhur. Në të njëjtën mënyrë, Fawzia zbuloi se pallatet e Iranit nuk mund të krahasoheshin me pallatet në të cilat ishte rritur në Egjipt.

Pra u ndie si e marrë peng. Shto këtu edhe dhunën e përditshme verbale dhe ndonjëherë edhe fizike të vjehrrës dhe kunatës (thuhet që kunata i ka thyer edhe një vazo në kokë Mbretëreshës së re).

Mbretëresha Fawzia u shfaq në kopertinën e numrit të revistës Life të 21 shtatorit 1942, e fotografuar nga Cecil Beaton, i cili e përshkroi atë si një “Venus Aziatik” me “një fytyrë perfekte në formë zemre dhe sy blu çuditërisht të zbehtë, por depërtues”.

Nga martesa me Pehlavin, Fawzia pati vetëm një vajzë, Princeshën Shahnaz Pahlavi (e lindur më 27 tetor 1940).

Ajo jeton edhe sot diku në Zvicër.

Mbretëresha Fawzia u zhvendos në Kajro në maj të vitit 1945 dhe mori një divorc egjiptian.

Arsyeja e kthimit të saj ishte se ajo e shihte Teheranin si të pazhvilluar në kontrast me Kajron moderne dhe kozmopolite. Edhe burri mysybet, vjehrra dhe kunatat mos qofshin. Por këto nuk i përmendte…

Ky divorc fillimisht nuk u njoh për disa vite nga Irani, por përfundimisht ranë dakort, pas nja tre vitesh.

Një kusht kryesor i divorcit ishte që vajza e saj të lihej pas për t’u rritur në Iran.

Dhe ashtu ndodhi.

Në njoftimin zyrtar të divorcit, u tha se

“klima persiane kishte rrezikuar shëndetin e Mbretëreshës Fawzia, dhe se kështu u ra dakord që motra e Mbretit Egjiptian të divorcohej”.

Ky motivi më kujtoi një këngë të Pirro Çakos që thotë: “Gjyshja më ka thënë se në çdo dashuri ndikon dhe klima”. (Pak a shumë)

Në një deklaratë tjetër zyrtare, Shahu tha se shpërbërja e martesës “nuk mund të ndikojë në asnjë mënyrë në marrëdhëniet ekzistuese miqësore midis Egjiptit dhe Iranit”.

Se aty ishte çështja .

Mohammad Reza i tha ambasadorit britanik në vitin 1945 se nëna e tij ishte “ndoshta pengesa kryesore për kthimin e Mbretëreshës”.

Nga ana tjetër, raportet e CIA-s pohojnë se Princesha Fawzia e tallte dhe e poshtëronte Shahun për shkak të impotencës së tij të supozuar, duke çuar në ndarjen e tyre.

Fawzia jetoi në izolim dhe heshtje pas revolucionit egjiptian të vitit 1952 dhe nuk i publikoi kurrë kujtimet e saj për oborrin mbretëror të Iranit dhe Egjiptit. Në vitin 1949, Fawzia u martua me kolonel Ismail Chirine, një diplomat egjiptian, me të cilin pati një djalë dhe një vajzë.

Ata patën dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë:

Në jetën e saj të mëvonshme, Princesha Fawzia jetoi në Aleksandri, ku vdiq më 2 korrik 2013 në moshën 91 vjeç. Ajo u varros në Kajro pranë burrit të saj të dytë.

Ndryshe nga martesa e saj e parë, këtë herë Fawzia u martua nga dashuria dhe ajo u përshkrua si shumë më e lumtur e martuar me Kolonel Chirine sesa kishte qenë ndonjëherë me Shahun e Iranit.

Mund të jetë një imazh i martesë dhe teksti që thotë "Search inside image"

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *