10 Nëntor, 2026

Mbajti peng në Astir 21-vjeçaren dhe u zhduk brenda muajve drejt Spanjës, ekstradohet Arnold Jaho

 Mbajti peng në Astir 21-vjeçaren dhe u zhduk brenda muajve drejt Spanjës, ekstradohet Arnold Jaho

Është ekstraduar së fundmi nga Spanja në Shqipëri i shumëkërkuari 41-vjeçari Arnold Jaho, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ekstradimi i të riut u realizua falë bashkëpunimit mes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit në Shqipëri dhe homologëve të tyre në Madrid.

Jaho rezulton të jetë dënuar nga Gjykata e Tiranës në vitin 2026 me 6 vite burg për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Po ashtu, në 2024, ai është dënuar me një vit burg për veprën penale “Mashtrimi”.

Ndërkohë, në vitin 2025, Prokuroria e Tiranës ka lëshuar ndaj tij urdhër ndalimi për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Emri i Arnold Jahos renditet në mesin e personave të cilët në janar të 2025 morën peng 21-vjeçaren Sajma Qordjan, e cila denoncoi në Polici se ishte dhunuar dhe mbahej peng në një pallat në zonën e Astirit.

Asokohe, në janar të 2025, Sajma Qordja njoftoi policinë duke pretenduar se po dhunohej nga disa persona. Pasi ngriti alarmin, ajo u ngujua brenda një apartamenti të marrë me qira në Astir. Ngjarja mori përmasa të mëdha kur forcat speciale RENEA ndërhynë me litarë nga dritaret dhe tarraca për të hyrë në banesë.

Vajza nuk pranonte të hapte derën pas disa orësh negociata me policinë, e në këto rrethana u desh ndërhyrja e forcave RENEA dhe FNSH për të thyer xhamin e ballkonit me qëllim për të hyrë brenda në apartament.

Vajza u gjet e vetme dhe në gjendje të rënduar psikologjike. Gjithashtu në dy apartamentet janë gjetur dhe sekuestruar dy armë të llojit psitoletë dhe një jelek antiplumb.

Apartamentet janë gjetur të shkatërruara si dhe në ambientet është gjetur dhe drogë e alkool. Gjithashtu Sajma Qordja ka deklaruar në polici se nuk është dhunuar.

Arnold Jaho ishte një nga pesë personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Policia e Shtetit për këtë ngjarje, nën akuzat për “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *