8 Nëntor, 2026

Lufta Rama-Veliaj zbret në rrugët e Tiranës

 Lufta Rama-Veliaj zbret në rrugët e Tiranës

Në ditët e protestave dhe më pas, në Tiranën pa tabela e semaforë, policia nuk ka dalë në skuta e lagje për të vënë gjoba. Madje edhe kur ka pasur bllokime rrugësh, e ku denoncimet kanë qenë me shumicë nga njerëzit që ndiheshin se u ishte shkelur hapësira.

Duket se ka një qarkore të përgjithshme për të mos ngritur nervat e njerëzve, pasi vetëm pak kohë përpara shikoje policë komisariatesh, e jo vetëm të Rrugores, në rrugica e lagje të populluara me bllok gjobash në dorë, duke bërë kërdinë.

Në një plan me normë, sikur ishte një fushatë ndëshkimore, e cila ndodhte përditë, ku edhe shteti merrte lekë nga qytetarët, edhe policët komisionet e gjobave.

Metoda e ndaljes së ndëshkimeve administrative kur në vend ka trazira, protesta, pakënaqësi e frustrime politike është e vjetër. Megjithatë, Edi Rama e ka përdorur rëndom në vitet e qeverisjes së tij.

Por duket se këtë plan të Edi Ramës po ia prish Erion Veliaj, i cili ka nxjerrë Policinë Bashkiake në të gjitha cepat e Tiranës, duke vendosur gjoba masive në rrugë për makinat që nuk kanë paguar parkimin publik, i cili ka vite që nuk paguhet më.

Ka qenë vetë Veliaj, pas arrestimit, që ka kërkuar të mos ketë fushatë agresive nga frika e linçimit. Ndërkaq, ditën e sotme, Policia Bashkiake është shpërndarë edhe në lokalet e shërbimeve, duke gjobitur e bezdisur bizneset.

E gjitha kjo duket një lëvizje e re e Erion Veliajt në luftën e shpallur ndaj Edi Ramës, kësaj radhe për të sjellë e nxitur pakënaqësi të tjera në qytet.

Siç mësohet, kjo ka sjellë një përplasje të qeverisë me njerëzit e bashkisë, ku mësohet se kreu i qeverisë ka dërguar njerëzit e tij në bashki për të ndjekur situatën.

Në këto momente janë përhapur zërat që mund të dalë edhe Policia e Shtetit për të ndaluar veprimet e Policisë Bashkiake, nëse ata nuk ndalen.

Nëse ndodh kjo, atëherë do të kemi nisjen e një ‘lufte civile’ brenda mazhorancës, e cila do të ketë pasojat e saj.(Pamfleti)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *