26 Korrik, 2026

Lajthitja e fjalimit të Edi Ramës

 Lajthitja e fjalimit të Edi Ramës

Kryeministri Edi Rama ju drejtua deputetëve të Grupit Parlamentar të PS dhe anëtarëve të kabinetit të tij qeveritar, me atë që e ka paralajmëruar si një fjalim reflektues pas protestës së flamingove nën zyrën e tij.

Ndër të tjera në fjalën e tij, kryeministri citoi filozofin e njohur Alexis de Tocqueville, duke thënë  se dikur ka shkruar: “çasti më i rrezikshëm për një qeveri vjen pikërisht kur ajo ka nisur t’i ndryshojë gjërat”

“Alexis de Tocqueville  na ka lënë një paralajmërim me shkrim tamam për këtë fazë ku kemi hyrë “çasti më i rrezikshëm për një qeveri vjen pikërisht kur ajo ka nisur t’i ndryshojë gjërat” dhe shembujt e ndryshimit janë të panumërta, rreziku është tani më i lexueshëm.

Për 100 e kusur vjet në Shqipëri nuk ishte hetuar e jo më gjykuar një zyrtar i lartë,  asnjë.  Korrupsioni ishte pranuar si të ishte fataliteti i një fatkeqesie natyrore”, tha ai.

Më tej kryeministri ka treguar se këto ndryshime të shumta kanë ndodhur me reformën e drejtësisë, apo me ofrimin e shërbimeve online, ku sipas tij njerëzit nuk kanë më pse të presin me orë të tëra në radha.

Po ashtu Rama, ka treguar edhe njëherë historinë e nënës së një mikut të tij, e cila kishte dalë në protestë për shkak se kishte një përvojë “të hidhur” me poliklinikën ku shkonte çdo ditë pa dalë dielli, për të pritur radhën për të marrë shërbim.

Rama tha se ata mund t’i tregojnë asaj gjithë spitalet që janë ndërtuar, apo investimin që është bërë në to me pajisje të reja, por ajo ka përvojën e saj dhe synimi duhet të jetë të ndryshohet përvoja.

“Ne mund t’i tregojmë asaj gjysheje se sa spitale kemi ndërtuar, sa pajisje kemi blerë për spitalet, janë fakte si drita e diellit, por fakti i saj është përvoja e asaj radhës në poliklinikë kur dielli s’ka dalë akoma. Duhet të ndryshojmë ne, që përvoja e saj të ndryshohet”, është shprehur Rama ndër të tjera.

Tani Rama ose nuk ka kuptuar gjë nga protesta, ose nuk ka reflektuar fare.

Sepse ata njerëz që kanë dalë në protestë, nuk kanë dalë pse është mirë Shqipëria, por për të kundërtën.

Për korrupsionin, për padrejtësinë, për grumbullimin e pasurive të Shqipërisë në dorën e një grupi të vogël oligarkësh, që favorizohen nga Qeveria, për mungesat e frikshme në sistemin shëndetësor, duke i detyruar shqiptarët të shkojnë të kurohen nëpër spitalet e Europës, për rrënimin e arsimit, për mbylljen e shkollave, për zhdukjen e fshatrave dhe qyteteve, për largimin masiv të rinisë nga vendi, sepse këtu nuk kanë shpresë e shumë të tjera.

Të thuash që njerëzit kanë dalë në protestë se Qeveria e ka ndryshuar për mirë Shqipërinë, është jo vetëm lajthitje, por një shkëputje totale nga realiteti.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *