Kuzhinieri nga Tepelena që jeton në Skoci dhe verës kthehet për të punuar në vendin e vet
Nertil Qibini nga fshati Luzat i Tepelenës prej 16 vitesh ushtron profesionin e kuzhinierit, një zanat që e ka kthyer në pjesë të rëndësishme të jetës së tij.
Edhe pse jeton dhe punon në emigrim, ai rikthehet çdo verë në vendlindje për të vijuar punën e tij pranë një biznesi në zonën turistike të Ujit të Ftohtë në Tepelenë.
38-vjeçari shprehet se gatimi për të është një profesion i bukur dhe aspak i vështirë, për sa kohë bëhet me pasion dhe përkushtim.
Ai thekson se eksperienca e fituar ndër vite e ka ndihmuar të përmirësojë aftësitë dhe të përshtatet me kërkesat e klientëve, sidomos gjatë sezonit turistik.
“Unë kam rreth 16 vjet dhe jetoj në Skoci. Vij nga Skocia dhe punoj gjatë sezonit në Shqipëri. Aktualisht jam në Luzat të Tepelenës, me mbiemrin Qibini. E kam pasur pasion këtë punë edhe kur kam emigruar në Skoci, dhe atje e kam mësuar e ushtruar më tej.”
Nertili përgatit një gamë të gjerë ushqimesh, ku vend të veçantë zënë gatimet tradicionale shqiptare. Ai tregon se turistët dhe vizitorët vendas i vlerësojnë shumë këto receta, duke e bërë kështu traditën një element të rëndësishëm të punës së tij.
Në të ardhmen, Nertil Qibini synon të rikthehet përfundimisht në Shqipëri për të investuar dhe zhvilluar më tej profesionin e tij.
Ai ka edhe një mesazh për të rinjtë, duke i inkurajuar që t’i drejtohen këtij profesioni nëse e ndjejnë pasionin, pasi sipas tij, gatimi ofron mundësi të mira dhe kënaqësi në punë.
“Aty jam bazuar shumë në guzhinën shqiptare, por duke përgatitur pak me modernen, po e kombinoj shumë mirë shqipen me modernen. Këtu punoj vetëm gjatë sezonit. Vij pak a shumë në korrik, gusht dhe shtator, deri në fund të shtatorit, bashkë me familjen.
Kalojmë pushimet, pastaj mbyllim sezonin dhe kthehemi sërish në Skoci, ku vazhdojmë punën. Pak a shumë është e njëjta gjë çdo vit. Por në të ardhmen, kush e di, me një investim këtu mund të bëhet realitet që ta kem për 12 muaj të vitit, me kapacitet të plotë.”
Historia e Nertil Qibinit është një shembull i përkushtimit dhe dashurisë për profesionin, që e mban të lidhur fort me vendlindjen pavarësisht emigrimit.
Me eksperiencën e fituar ndër vite dhe dëshirën për të investuar në Shqipëri, ai synon të ndërtojë të ardhmen e tij pranë rrënjëve, duke frymëzuar njëkohësisht edhe të rinjtë që të ndjekin pasionin për kuzhinën.