Denoncimi: Kushërira e Linda Ramës emërohet drejtoreshë e rëndësishme tek Shëndetësia
Ministrja e re e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, vendosi që të shkarkonte administratoren e Operatorit të Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit, Arisa Canen. Pas këtij shkarkimi, vendin e saj e ka zënë nënkryetarja e Bashkisë së Krujës, Yllka Kukalajt.
E menjëherë pas këtyre ndryshimeve akuza të shumta kanë ardhur nga kampi opozitar. Ka qenë deputeti Bardh Spahia ai i cili e ka akuzuar ministren e re se është e “nënshtruar” ndaj kryeministrit dhe se emëroi në këtë post pikërisht kushërirën e bashkëshortes së tij.
Mirëpo këtyre akuzave të demokratit, ministrja ka zgjedhur t’i përgjigjet duke vendosur përballë eksperiencën profesionale të Kukulajt. Sipas saj, emërimi i Kukalajt është bërë mbi bazën e eksperiencës së saj në administrimin financiar dhe në drejtimin e një institucioni shëndetësor, veçanërisht në periudha të vështira për sistemin, përfshirë këtu dhe tërmetin.
Spahiu ka kundërshtuar gjithashtu mënyrën se si është trajtuar publikisht emërimi, duke argumentuar se një drejtues i ri duhet të vlerësohet për punën që kryen dhe rezultatet që sjell, dhe jo për lidhjet familjare që mund t’i atribuohen.
“Yllka Kukalaj do të gjykohet për atë që bën në OSHISH, si çdo drejtues tjetër që do të emëroj. Me mua profesionisti vjen përpara paragjykimit dhe qytetari vjen përpara koncesionit. Prandaj Yllka Kukalaj në drejtim dhe prandaj edhe rishikimi i imët i një procedure të gjetur të hapur mbrapsht. Këtë metodë di. Për këtë metodë kam ardhur. Nga kjo metodë nuk heq dorë”, ka shkruar ministrja ndër të tjera, duke e bërë të qartë kështu se nuk tërhiqet nga mënyra e saj e qeverisjes dhe se në qendër të vendimmarrjes së saj është profesionalizmi.
Postimi i plotë ministres:
Z. Bardh Spahia ka pyetur publikisht për emërimin e Yllka Kukalajt. Ka të drejtë të pyesë. Unë kam detyrë të përgjigjem.
Pse Yllka Kukalaj?
Sepse në atë detyrë nuk më duhet dikush që ta mësojë punën. Më duhet dikush që e njeh atë.
Yllka Kukalaj është ekonomiste. Ka drejtuar sektorin e buxhetit dhe pagave në bashkinë e Krujës, pastaj spitalin e qytetit, për vite, si titullare e autoritetit kontraktor.
Në atë spital ishte kur ra tërmeti, kur erdhi pandemia, kur u rindërtua godina dhe aty e kam njohur në punë.
Kush e ka kaluar këtë rrugë të shërbimit e di sa kushton një shtrat dhe sa kushton një pajisje.
Atyre që thonë se Yllka Kukalaj qenka “anonime” i them po, me siguri është anonime për kafenetë politike të Tiranës. Nuk është anonime për spitalin që ka drejtuar, për mijëra pacientët që janë shërbyer dhe për peshën e madhe të përgjegjësisë që ka mbajtur përsipër.
Për kushërirat: ka një mënyrë shumë të vjetër për t’i goditur gratë që marrin një detyrë publike.
Zhduket karriera profesionale dhe fillon gjurmimi në pemën gjenealogjike.
Burrave u numërohen heroizmat. Grave u numërohen kushërinjtë.
Kjo nuk është mënyra ime.
Yllka Kukalaj do të gjykohet për atë që bën në OSHISH, si çdo drejtues tjetër që do të emëroj.
Me mua profesionisti vjen përpara paragjykimit dhe qytetari vjen përpara koncesionit.
Prandaj Yllka Kukalaj në drejtim dhe prandaj edhe rishikimi i imët i një procedure të gjetur të hapur mbrapsht.
Këtë metodë di. Për këtë metodë kam ardhur. Nga kjo metodë nuk heq dorë!

Bardh Spahia ndërkohë, ka reaguar sërish sot.
Në një deklaratë për mediat, deputeti i PD tha se familja e Edi Ramës po kap institucionet që menaxhojnë qindra milionë euro para publike.
Deklarata e plotë
Dje denoncova se si familja e Kryeministrit po kap institucionet që menaxhojnë qindra milionë euro para publike, përmes emërimit të vajzës së tezes së Linda Ramës në krye të Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësor.
Ministrja e Shëndetësisë zgjodhi ta trajtojë këtë denoncim si një çështje grash. Në vend që të shpjegojë përse një familjare e gruas së Kryeministrit vendoset në krye të një institucioni që administron miliarda lekë, na foli për paragjykimet ndaj grave dhe jo se kujt i jepen për menaxhim paratë publike.
Sot dua t’ia them edhe nga Kuvendi: zonja ministre, këtu nuk është në diskutim emërimi i një gruaje. Në diskutim është emërimi i një familjareje të Linda Ramës, gruas së Kryeministrit, në krye të një institucioni që administron dhe prokuron shërbime me vlerë qindra milionë euro.
Ministrja e Shëndetësisë nuk e mohoi se Drejtoresha e re e Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësor, Yllka Shetaj, është vajza e tezes së Linda Ramës. Por ajo nuk pati kurajon të thotë të vërtetën hapur. Mesa duket, mjekja Klodiana Spahiu e ka humbur kurajon dhe dinjitetin, duke iu nënshtruar interesit personal të Edi Ramës.
Emërimi i vajzës së tezes së Linda Ramës në një pozicion kyç ka një arsye, në bazë të së cilës qëndrojnë të paktën 50 milionë euro.
Një nga procedurat që ndodhet sot në këtë institucion është tenderi afro 50 milionë euro i hemodializës, i anuluar me urdhër të Edi Ramës. Ky tender do të duhet të ribëhet. Bashkë me të, shumë procedura të tjera me vlerë qindra milionë euro do të kontrollohen nga njerëzit e familjes së Kryeministrit.
Pas AKSHI-t, ku kontrolli familjar i pushtetit kalon përmes kunatit të Linda Ramës, sot, me firmën e parë të Ministres së Shëndetësisë, kemi një tjetër institucion të rëndësishëm publik që i besohet një tjetër familjareje të gruas së Kryeministrit.
Prandaj sot kam disa pyetje për Ministren e Shëndetësisë:
Pse u zgjodh pikërisht vajza e tezes së Linda Ramës në krye të një drejtorie që menaxhon qindra milionë euro?
Çfarë do të bëjë ndryshe vajza e tezes së Linda Ramës për tenderin e anuluar prej rreth 50 milionë eurosh të hemodializës?
Çfarë do të ndryshojë në tenderin e ri nga procedura që u anulua?
A do ta firmosni projektligjin që është në pritje dhe që parashikon përqendrimin e blerjeve të shëndetësisë në një dorë të vetme?
Këtyre pyetjeve duhet t’u përgjigjet ministrja. Jo më me retorikë për gratë apo me viktimizim gjinor, por me fakte.
Llogaridhënia publike nuk është çështje grash, por çështje miliardash, pushteti dhe kontrolli familjar mbi paratë publike.
Taksat e shqiptarëve nuk janë dhe nuk duhet të bëhen biznes privat i familjes së Kryeministrit.