Kush rron me shpresën e resorteve, vdes i uritur
Nga Abdulla Diku
Ka një shprehje që thotë “Kush rron me shpresë, vdes i uritur”. Kjo vlen shumë në rastin e projekteve “strategjike”.
‘Resortet do të sjellin zhvillim’ – është fraza që dëgjojmë më shpesh për të justifikuar ndërtimet brenda zonave të mbrojtura. Por zhvillimi matet me kohën, me përfituesit dhe me kostot që paguan shoqëria.
Një resort turistik si ai i planifikuar në Zvërnec nuk ndërtohet brenda një viti.
Nga projektimi deri në vënien e plotë në funksion zakonisht nevojiten rreth 5 vite. Gjatë kësaj periudhe nuk kemi ende ekonomi turistike; kemi vetëm aktivitet ndërtimi. Nëse ka procese gjyqësore apo konflikte të ndryshime, ndërtimi zgjat dhe më shumë se 5 vjet.
Më pas vjen fakti i rëndësishëm që nuk përmendet fare; bazuar në legjislacioni shqiptar për njësitë akomoduese me 5 yje, ai do të përjashtohet nga tatim-fitimi për 10 vite nga fillimi i aktivitetit.
Pra, në praktikë, përfitimi i plotë fiskal për vendin mund të fillojë të materializohet pas minimumi 15 vitesh nga momenti kur nis projekti.
I bie, nga viti 2043 e në vijim.
Kuptohet, nëse statusi preferencial (strategjik) i resortit nuk i zgjatet më (qeveria mund t’ja zgjasë dhe për 10 vite të tjera psh., në mos më shumë, e ky vit të jetë 2053…
Deri atëherë, kush do të rrojë dhe mund të gëzojë ndonjë gjë…
Ndërsa përfitimet publike shtyhen për më shumë se një dekadë e gjysëm, kostot fillojnë menjëherë.
Që ditën e parë të ndërhyrjes humbet natyra. Fragmentohen habitatet. Ndryshon peizazhi. Rritet presioni mbi burimet ujore. Humbet karakteri i zonës së mbrojtur.
Që ditën e parë të operimit, fillon edhe goditja ndaj ekonomisë lokale.
Nëse ndërtohet një resort me 5 yje, ai do të ketë kapacitete financiare shumë më të mëdha se çdo biznes familjar. E kemi parë këtë me dyqanet e vogla familjare në çdo cep të vendit, ku u konkuruan dhe tashmë kan familentuar prej supermarketeve. Resortet do tërheqin pjesën më të madhe të turistëve, do të kërkojë për vete produktet bujqësore e blegtorale të zonës dhe do të konkurrojë drejtpërdrejt me bizneset e vogla familjare. Një hotel i vogel nuk mund të konkurrojë me një kompleks hotelier që ka qindra shtretër, marketing ndërkombëtar dhe kapital shumë më të madh.
Rezultati është i parashikueshëm: fitimet do përqendrohen te një investim i vetëm, ndërsa qindra familje humbasin gradualisht mundësinë për të jetuar nga biznesi i tyre.
Pastaj vjen argumenti tjetër: “Do të hapen vende pune.”
Po, por për kë?
Shqipëria po përjeton një nga valët më të mëdha të emigrimit të të rinjve në historinë e saj. Vetë sektori i turizmit dhe ai i ndërtimit ankohen çdo ditë për mungesën e fuqisë punëtore dhe po mbështeten gjithnjë e më shumë te punonjës të huaj.
Në këto kushte, lind një pyetja – nëse sot nuk ka punonjës të mjaftueshëm për hotelet ekzistuese apo kompanitë ndërtuese, kush do të punojë nesër në resorte edhe më të mëdha?
Ekziston një mundësi krejt reale që një pjesë e konsiderueshme e vendeve të reja të punës të plotësohen nga punëtorë të huaj, ndërsa komuniteti lokal jo vetëm që nuk pasurohet, por humbet edhe mundësinë për të qenë pronar i biznesit të vet. Nga sipërmarrës, banorët rrezikojnë të shndërrohen në punëmarrës. Ose, edhe më keq, të vazhdojnë emigrimin.
Kjo është arsyeja pse duhet bërë dallimi mes investimit dhe zhvillimit.
Një investim mund të jetë shumë i madh në vlerë monetare, por kjo nuk do të thotë automatikisht se krijon zhvillim për komunitetin.
Nëse natyra dëmtohet menjëherë, bizneset familjare dobësohen sot dhe shpopullimi vazhdon sot, ndërsa përfitimet më të mëdha fiskale për shtetin priten vetëm minimalisht pas 15 a më shumë vitesh, atëherë pyesim:
A po zhvillojmë Shqipërinë, apo thjesht po sakrifikojmë pasurinë e saj natyrore dhe ekonominë lokale për premtime që do të vlerësohen vetëm pas 15-20 vitesh?
Një zonë natyrore e humbur nuk rikthehet më. Një biznes familjar që falimenton nuk ringrihet më. Një i ri që emigron rrallë ndodh të kthehet.
Prandaj, përpara se të flasim për “zhvillim”, duhet të kemi guximin t’u përgjigjemi tre pyetjeve themelore:
Kush përfiton?
Kur përfiton?
Dhe, çfarë humbet Shqipëria deri atëherë?