Kush është Muhamet Skana, i riu që u përplas në asfalt nga policia gjatë protestës?
Një nga fotografitë më të shpërndara të protestës së djeshme në Tiranë është ajo e një efektivi policie që mban me forcë një të ri, në një moment përplasjeje në rrugë. Pamja, që qarkulloi me shpejtësi në rrjetet sociale, ka rikthyer debatin për mënyrën se si policia ndërhyri ndaj protestuesve gjatë ditës së katërt të revoltës.
I riu në fotografi është identifikuar si Muhamet Skana, i cili, sipas raportimeve mediatike, ka mbetur i dëmtuar pas ndërhyrjes së policisë pranë Ministrisë së Arsimit.
Sipas raportimeve nga Spitali i Traumës, Skana ka pësuar dëmtime në vertebra dhe humbje të kujtesës. Gazetarja Denada Jushi raportoi se i riu ishte i vetëdijshëm, por fillimisht nuk kujtonte asgjë nga ngjarja. Pamjet e publikuara nga mediat tregojnë gjithashtu se, pasi është përplasur në asfalt, ai është goditur nga efektivë të tjerë ndërsa ndodhej në tokë.
Më vonë, një familjar i Muhamet Skanës konfirmoi për gazetaren Kristina Belba të News24 se i riu kishte dëmtime në kafkë dhe shtyllën kurrizore, por ndodhej jashtë rrezikut për jetën dhe kishte nisur gradualisht të rikujtonte ngjarjen.
Dy efektivët e policisë të përfshirë në dhunimin e të riut janë pezulluar nga detyra. Ndërkohë, mbeten për t’u sqaruar rrethanat e plota të incidentit dhe përgjegjësitë për përdorimin e forcës.
Fotografia e Muhamet Skanës është kthyer në një nga pamjet më të forta të katër ditëve të protestave në Tiranë. Në një kryeqytet ku janë dokumentuar sulme ndaj policisë, dëmtime institucionesh dhe përplasje të dhunshme, rasti i tij ngre një pyetje që kërkon përgjigje nga autoritetet: Çfarë e justifikonte përdorimin e një force të tillë ndaj një të riu dhe a ishte ndërhyrja e policisë në përputhje me ligjin?
Flet e motra
I riu që u përplas me forcë në tokë nga një efektiv policie gjatë protestës në Tiranë ka pësuar fraktura në kafkë dhe në shtyllën kurrizore. Lajmin për gjendjen e tij shëndetësore e ka bërë të ditur motra, e cila ka reaguar publikisht pas pamjeve të publikuara nga incidenti.
Familjarja ka konfirmuar dëmtimet e rënda që ka pësuar i vëllai, ndërsa ka kërkuar që në këto momente vëmendja të përqendrohet te shëndeti i tij.
“Nga ana mjekësore është diagnostifkuar një frakturë në shtyllën kurrizore nga goditjet dhe në kafkë nga hedhja me forcë në tokë. Familja po i qëndron pranë dhe do bëjmë çdo gjë për të”, shkruan ajo.
Motra e tij ka folur edhe për përgjegjësinë e personave të përfshirë në incident, duke deklaruar se ata që ushtruan dhunë ndaj të vëllait do të duhet të përgjigjen për veprimet e tyre.
“Faleminderit të gjithëve por nuk na duhet asnjë më shumë se një lutje për vëllain tim. Pseudo policët që e bënë këtë gjë do dënohen dhe ne do e ndjekim deri në fund çështjen. Faleminderit shumë të gjithëve sërish”, shprehet ajo.
Ngjarja ndodhi gjatë protestës së djeshme në kryeqytet. Pamjet e shpërndara në media dokumentojnë momentin e ndërhyrjes së policit, ndërsa më pas pranë të riut afrohen edhe efektivë të tjerë.
Dëmtimet e raportuara nga familjarët e bëjnë edhe më të rëndësishëm sqarimin e rrethanave të incidentit dhe përcaktimin nëse forca e përdorur nga punonjësi i policisë ishte e justifikuar.