21 Maj, 2026

Kupola e Policisë së Sarandës komandohej nga grupi i rrezikshëm kriminal, që vrau Isuf Jaçen

 Kupola e Policisë së Sarandës komandohej nga grupi i rrezikshëm kriminal, që vrau Isuf Jaçen

Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni kundër ndërtimeve pa leje në Sarandë, që çoi në shkrirjen e Policisë. Shefi i komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari dhe 3 inspektorë, Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj u ndaluan nga butë pasi dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke favorizuar dhe toleruar ndërtimet pa leje në zonat më të lakmuara bregdetare të jugut, Sarandë dhe Ksamil.

Dyshimet janë se efektivët kishin krijuar skema me qëllim përfitimi të paligjshëm, si edhe dyshohet se kanë favorizuar ndërtimet pa leje që ishin të lidhura me grupet kriminale në territorin e Sarandës.

I gjithë ky aksion nisi pas një denoncimi të mbërritur në Policinë e Shtetit, për një ndërtim pa leje në një hapësirë plazhi në lagjen numër 1 në Sarandë, që çoi në arrestimin e 8 punëtorëve dhe shpalljen në kërkim të pronares Arjola Dhrami Bajo. Për këtë ndërtim, Policia e Shtetit njoftoi shërbimet e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat kryen prishjen e ndërtimeve.

Ndërtimi pa leje, dyshohet se lidhet me një seri ngjarjesh kriminale që kanë tronditur qytetin muajt e fundit. Sipas burimeve pranë policisë, prona ku po kryheshin punimet rezulton të ketë qenë në emër të Isuf Jaçajt, i cili mbeti i vrarë pas një shpërthimi me tritol në automjetin e tij në tetor të vitit 2025. Hetuesit dyshojnë se pas atentatit mund të qëndrojë një grup kriminal me bazë në Kamëz, i cili po verifikohet edhe për përfshirje në episode të tjera kriminale në Sarandë.

Në pronën që dyshohet se ishte marrë me forcë nga ky grup, po ndërtohej një beach bar që synohej të vihej në funksion gjatë sezonit turistik. Për lejimin e ndërtimit, dyshohet se janë dhënë ryshfete ndaj drejtuesve lokalë të policisë.

Ishte kryepolici Skënder Hita që njoftoi Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës, vijuan veprimet për nxjerrjen e përgjegjësive për punonjësit e policisë, të cilët nuk kishin kryer detyrën për moslejimin e këtij ndërtimi.

AMP bëri ndalimin e shefit të Komisariatit dhe 3 inspektorëve, të cilët akuzohen për “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, vepra këto të kryera në bashkëpunim, jo vetëm për këtë rast, por edhe të tjera. Pas aksionit, Hita i ka pezulluar nga detyra katër punonjësit dhe ka nisur procedurat për përjashtimin e tyre nga Policia e Shtetit.

Po ashtu, Hita ka pezulluar menjëherë nga detyra dhe Shefin e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Sarandë, Komisar Blerim Tafçiu, pasi nuk është paraqitur për tu marrë në pyetje gjatë veprimeve hetimore që po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore

“Bushi”, guidieri i detit që u vra në 2025 me tritol

Toka në të cilën po ndërtohej pa leje në zonën e Sarandës dhe që “u hëngri kokat” drejtuesve më të lartë të Komisariatit të Policisë së qytetit bregdetar, është në pronësi të Isuf Jaçaj, i njohur dhe si “Bushi”.

Ai ishte një guidier detar që shëtiste turistët dhe pushuesit në brigjet e Ksamilit dhe Sarandës, por në vjeshtën e vitit 2025 u ekzekutua me tritol.

Prona e tij është marrë me forcë nga një grup kriminal, anëtarët e të cilit janë me origjinë nga Kamza, ashtu si personat që dyshohet se dhanë porosinë për vrasjen e “Bushit”, dhe aty kishte nisur puna për ndërtimin e një “beach bar” për sezonin veror.

Nuk dihet nëse drejtuesit e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë marrë ryshfet edhe për të lejuar grabitjen e pronës së Isuf Jaçaj, por sipas hetimeve paraprake, ata janë paguar nga ky grup kriminal për të lejuar ndërtimin pa leje.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore është vënë në lëvizje pas një referimi që është bërë nga vetë kryepolici Skënder Hita, sepse një qytetar kishte denoncuar tek ai situatën në terren në Sarandë, dhe menjëherë u shkarkua dhe u arrestua gjithë zinxhiri drejtues.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *