26 Gusht, 2026

Kriza e legjitimitetit dhe kontrata me 800 000 votuesit

 Kriza e legjitimitetit dhe kontrata me 800 000 votuesit

Nga Red Varaku

Një nga keqkuptimet më të mëdha në politikë është ngatërrimi i pushtetit me legjitimitetin. Nderkohë që pushteti buron nga procedura, legjitimiteti buron nga besimi. Njëri të jep të drejtën ligjore për të qeverisur, tjetri të jep autoritetin politik dhe moral për ta ushtruar atë.

Për këtë arsye, një qeveri mund të jetë plotësisht legale, në kuptimin e 800 000 votave që Rama sjell vazhdimisht në vëmendje, por njëkohësisht ajo mund të përballet me një krizë të thellë legjitimiteti.

Kjo ndodh kur qytetarët fillojnë dhe vënë në dyshim aftësinë e sistemit politik  për t’i përfaqësuar ata. Pikërisht në këtë moment fillon kriza e vërtetë.

Gabimi klasik i çdo pushteti që përballet me një krizë legjitimiteti është bindja se problemi mund të menaxhohet përmes mjeteve të komunikimit. Keshtu fillojne dhe shtohen konferencat për shtyp, sloganet, fushatat mediatike si dhe përpjekjet për të delegjitimuar kundërshtarët. Në plan afatshkurtër, kjo mund të prodhojë një farë kontrolli mbi narrativën, ama kjo nuk prodhon besim, përkundrazi e rrënon atë.

Kjo sepse legjitimiteti nuk është produkt i komunikimit politik. Ai është produkt i marrëdhënies së besimit midis qytetarit dhe pushtetit. Kur kjo marrëdhënie dëmtohet, propaganda mund ta bllokojë disi perceptimin e krizës, por kurrsesi ajo nuk mund ta zgjidhë atë.

Për këtë arsye, çdo krizë legjitimiteti kalon domosdoshmërisht nëpër dy etapa.

E para është pranimi i krizës. Një pushtet që refuzon te pranojë humbjen e besimit të qytetarëve, në fakt po pranon se nuk ka më instrumente për ta rikuperuar atë. Refuzimi dhe mohimi jo vetëm nuk janë zgjidhje, por kjo është faza e parë e përshkallëzimit të krizës.

E dyta, është rikthimi te qytetari. Burimi i vetëm i legjitimitetit në një rend demokratik është vullneti i qytetarëve. Për këtë arsye, as propaganda, as shumica parlamentare dhe as kontrolli institucional nuk mund ta zëvendësojnë kurrë atë që prodhon vota.

Historia politike e ka konfirmuar vazhdimisht këtë parim. Qeveritë nuk bien domosdoshmërisht kur humbin shumicën parlamentare. Ato fillojnë të bien në momentin kur humbin besimin që u jep kuptim ushtrimit të pushtetit. Nga ai moment, çdo vendim bëhet më i vështirë për t’u imponuar, çdo reformë has më shumë rezistencë dhe çdo krizë, sado e vogël, merr përmasa shumë më të mëdha siç dhe në fakt po ndodh.

Prandaj, zgjidhja e një krize legjitimiteti nuk është të bindësh qytetarët se kriza nuk ekziston, por është të rikrijosh kushtet që rikthejnë legjitimitetin e munguar. Në demokraci, kjo do të thotë t’i rikthehesh burimit të vetëm të autoritetit politik, qytetarit dhe qytetari e ka paraqitur në pesë pika formulën për tu rikthyer tek legjitimiteti i sistemit.

Në fund të fundit, legjitimiteti nuk është një certifikatë që fitohet një herë në katër vjet. Ai është një kontratë besimi që rinovohet çdo ditë. Në momentin që kjo kontratë prishet, pushteti mund të vazhdojë të ekzistojë juridikisht, por politikisht ai ka ka vdekur, i mbetet vetëm funerali.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *