Klodiana Lala reagon pas sherrit me Berishën. Gazetari: Ji e kënaqur, se me Berishën mund të shkonte më keq
Gazetarja Klodiana Lala u përfshi në një përplasje të ashpër verbale me kreun e PD-së, Berisha, pasi ai doli nga ndërtesa e SPAK-ut, ku shkon për të zbatuar masën ‘Detyrim paraqitje”.
Lala u shpreh në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus se do të vijojë të bëjë detyrën e saj, ndërsa analistët në panel u solidarizuan me gazetaren.
Lala: Unë drejtoj pyetje që i konsideroj si interes të publikut. Gjuha e tij ishte e papranueshme, isha aty dhe jam në ushtrim të detyrës time. Nuk kërkoj vota siç bën Berisha. Zoti Berisha do të shkojë në zgjedhje pas 6-7 muajsh dhe duhet të bindë qytetarët. Unë do të vijoj të bëj të njëjtën gjë duke drejtuar pyetje. Nuk ka pyetje të gabuara.
Hila: Sulmi i Doktorit mu duk për momentin e parë i pakuptimtë. Siç duket Klodiana ka shkelur në kallo diku dhe kërceu përpjetë. Jemi mësuar që Doktori i sulmon të gjithë.
Femrat i sulmon me fjalët e fundit, kështu që Klodi të kënaqet pasi nuk është te sharjet e rënda. E akuzoi për afilacione politike. Por tashmë jemi mësuar.
Zogaj: Lajmi që Berisha flet rëndë kundër një gazetareje që pyet apo bën koment ndaj tij, është rutinë e 30 e ca vjetëve. I shpreh solidaritet Lalës.
Bushati: Idioteske, pasi bën fushatën që shiko si sillet Rama me gazetarët, pastaj bën ai të vetën, Por jam me këtë të Klodit që thotë “pushka top”, nuk duhet të qahemi. Jetojmë në një mjedis të egër. Edhe ne jemi vetë të egër, edhe kundër goditjet që marrim.