21 Maj, 2026

Kina dhe Rusia lënë pas SHBA në garën e dronëve

 Kina dhe Rusia lënë pas SHBA në garën e dronëve

Rusia dhe Kina po ecin përpara më shpejt se Shtetet e Bashkuara në prodhimin dhe zhvillimin e dronëve ushtarakë të avancuar, sipas një analize të publikuar nga New York Times.

Gazeta amerikane shkruan se shqetësimi në Pentagon u rrit ndjeshëm pas një parade ushtarake në Pekin, ku presidenti kinez Xi Jinping, së bashku me presidentin rus Vladimir Putin dhe liderin e Koresë së Veriut Kim Jong-un, ndoqën prezantimin e disa modeleve të dronëve që mund të operojnë në mënyrë autonome pranë avionëve luftarakë.

Sipas zyrtarëve amerikanë të mbrojtjes dhe inteligjencës të cituar nga NYT-ja, vlerësimet brenda Pentagonit tregojnë se programi amerikan për dronët luftarakë pa pilot ka mbetur pas Kinës, ndërsa edhe Rusia konsiderohet më përpara në ndërtimin e kapaciteteve industriale për prodhimin e dronëve të avancuar.

Raporti thekson se kjo është pjesë e një gare globale gjithnjë e më intensive për armë autonome të mbështetura nga inteligjenca artificiale, ku fuqitë botërore po investojnë miliarda dollarë për të zhvilluar sisteme që mund të identifikojnë, ndjekin dhe godasin objektiva me ndërhyrje minimale njerëzore.

New York Times vëren se Kina ka avantazh të qartë në disa fusha për shkak të dominimit të saj në prodhim industrial, çka i mundëson të ndërtojë armë autonome në një shkallë që Pentagoni aktualisht nuk mund ta rivalizojë.

Ndërkohë, Rusia ka përdorur luftën në Ukrainë si laborator praktik për të testuar dhe përmirësuar teknologjitë e saj të dronëve, përfshirë modelet Lancet që tashmë kanë integruar aftësi autonome për identifikimin e objektivave.

Përballë këtij realiteti, administrata amerikane ka shtuar presionin ndaj kompanive vendase të mbrojtjes për të përshpejtuar zhvillimin e teknologjive të reja, ndërsa Pentagoni ka kërkuar mbi 13 miliardë dollarë për sistemet autonome në buxhetin më të fundit.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se gara për armët me inteligjencë artificiale mund të krijojë rreziqe të reja globale, duke përshpejtuar vendimmarrjen në fushëbetejë dhe duke ulur kontrollin njerëzor mbi konfliktet ushtarake.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *