29 Qershor, 2026

Këtu mbaron Shqipëria e shqiptarëve

 Këtu mbaron Shqipëria e shqiptarëve

Këto nuk janë thjesht tela me gjemba.

Janë një mesazh. Një deklaratë force. Një mënyrë për t’u thënë shqiptarëve: “Këtu mbaron toka juaj. Këtej e tutje nuk jeni më të mirëpritur.”

Në zemër të zonës së mbrojtur mjedisore të Pishë Poro – Nartës, aty ku duhej të mbroheshin dunat, shpendët, pishat dhe vetë fryma e natyrës shqiptare, po ngrihet një kufi prej hekuri, betoni dhe telash me gjemba.

Jo për të mbrojtur territorin shqiptar.

Jo për të mbrojtur natyrën.

Jo për të mbrojtur qytetarët.

Por për të ndarë shqiptarët nga toka e tyre, në mënyrë që ajo t’u dorëzohet resorteve luksoze dhe të pasurve të botës.

Këto tela nuk ngjajnë me hyrjen e një resorti turistik, por me kufijtë e frikës që regjimet ndërtonin kundër njerëzve të vet.

Nuk po mbrohet natyra nga njeriu; po mbrohet prona e pasanikut të botës nga qytetari-zot i kësaj prone, shqiptarët.

Kjo nuk është pamje nga kufiri mes dy vendeve në luftë.

Nuk është Koreja e Veriut.

Nuk është Gaza.

Nuk është një bazë ushtarake.

Është Shqipëria.

Një vend që flet çdo ditë për Europë, liri dhe zhvillim, ndërsa ngre tela me gjemba ndaj vetë popullit të vet.

Dikur shqiptarët rrezikonin jetën për të kaluar telat me gjemba e për të ikur nga izolimi.

Sot telat po rikthehen për t’i mbajtur larg detit dhe tokës së tyre.

Tragjedia është edhe më e madhe sepse kjo po ndodh në një zonë të mbrojtur.

Një vend që duhej t’i përkiste natyrës dhe qytetarëve, po kthehet në territor privat për luksin e pak njerëzve.

Në vend që të mbillen pisha, po ndërtohen kufij të përjetshem mes shqiptarëve dhe tokës së tyre.

Sot u vendosen tela me gjemba.

Nesër vendoset roja private.

Pasnesër vendoset tabela: “Ndalohet hyrja.”

Pak muaj a vite nga sot, shqiptarët do ta shohin detin e tyre nga larg, me dylbi dhe si turistë në vendin e vet.

Ky nuk është zhvillim.

Ky është kufiri i përjetshëm mbi një një cope atdheu.

Nuk po ndërtohet thjesht një resort mbi rërë.

Po ndërtohet ideja se në Shqipëri gjithçka mund të blihet, edhe e drejta e njerëzve për të prekur detin, për të ecur në tokën e tyre, për të marrë frymë lirshëm në bregun ku janë rritur.

Sot, dhimbja më e madhe nuk është vetëm gardhi me tela me gjemba.

Është ndjenja se gjithçka po shitet pak nga pak.

Se toka toka jonë po falet për influencë dhe pará.

Se vendi nuk po humbet me luftë, por me letra, antiligj, firma dhe heshtje.

Në emër të “zhvillimit”, po betonizohet natyra.

Në emër të “investimit strategjik”, po dëbohen shqiptarët nga toka e tyre, për tjua falur atë pasanikëve të botës.

Në emër të “Europës”, po ngrihen gardheh që të kujtojnë epokat më të errëta të izolimit.

Kur një plazh shqiptar dhe zonë e mbrojtur rrethohet me tela me gjemba nga vetë shqiptarët, atëherë problemi nuk është më vetëm mjedisor.

Është moral.

Është kombëtar.

Është njerëzor.

Se kur një popull ndahet nga toka e vet, ai nuk humbet vetëm territor.

Humbet kujtesën, identitetin dhe ndjenjën e përkatësisë.

Pa asnjë dyshim, kjo është tragjedia më e madhe: që shqiptarët po ndihen gjithnjë e më shumë spektatorë të shitjes së vendit të tyre, pa bëre asgjë. (Abdulla Diku)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *