Këshilli Bashkiak i Tepelenës vendos sot për bashkimin me Memaliajn, kryebashkiaku Albert Malaj: Mendoni për qytetarët që përfaqësoni, mos pranoni!
Kryebashkiaku demokrat i Memaliaj, Albert Malaj i është drejtuar me një thirrje publike Këshillit Bashkiak të Tepelenës fqinje, që të mos pranojë shkrirjen me bashkinë e tyre. Sipas Malajt, bashkëpunimi mes Memaliajt dhe Tepelenës është i domosdoshëm dhe duhet të forcohet.
Megjithatë, ai thekson se bashkëpunimi nuk duhet të nënkuptojë domosdoshmërisht shkrirjen e identiteteve dhe strukturave administrative.
“Prandaj, para çdo vendimmarrjeje, qytetarët meritojnë një debat të hapur, transparent dhe të argumentuar. Tepelena ka pësuar mjaftueshëm shpopullim dhe largim të institucioneve gjatë këtyre viteve. Nuk duhet të marrim vendime që mund ta thellojnë më tej këtë situatë”, shkruan Albert Malaj.
Thirrja e tij për Këshillin Bashkiak të Tepelenës është të mendojë me përgjegjësi për qytetarët dhe të ardhmen e Tepelenës përpara se të marrë një vendim të tillë. Memaliaj dhe Tepelena kanë nevojë për më shumë vëmendje, më shumë shërbime dhe më shumë zhvillim, jo për më shumë largim të administratës nga qytetari.
Lexoni më poshtë reagimin e plotë të kryebashkiakut Albert Malaj:
Këshilli Bashkiak i Tepelenës pritet të shqyrtojë sot çështjen e bashkimit të Bashkisë Tepelenë me Bashkinë Memaliaj. Ky vendim prek drejtpërdrejt të ardhmen e dy qyteteve dhe të mijëra qytetarëve. Këshilltarët bashkiakë kanë detyrimin ta shqyrtojnë këtë çështje me përgjegjësinë më të madhe, për pasojat që do të ketë bashkimi mbi shërbimet, investimet, punësimin, zhvillimin ekonomik.
Memaliaj është një qytet me identitet, histori dhe një komunitet që meriton shërbime pranë vetes dhe mundësi reale zhvillimi.
Bashkëpunimi mes Memaliajt dhe Tepelenës është i domosdoshëm dhe duhet të forcohet. Por bashkëpunimi nuk duhet të nënkuptojë domosdoshmërisht shkrirjen e identiteteve dhe strukturave administrative.
Prandaj, para çdo vendimmarrjeje, qytetarët meritojnë një debat të hapur, transparent dhe të argumentuar. Tepelena ka pësuar mjaftueshëm shpopullim dhe largim të institucioneve gjatë këtyre viteve. Nuk duhet të marrim vendime që mund ta thellojnë më tej këtë situatë.
Thirrja ime për Këshillin Bashkiak të Tepelenës është të mendojë me përgjegjësi për qytetarët dhe të ardhmen e Tepelenës përpara se të marrë një vendim të tillë. Memaliaj dhe Tepelena kanë nevojë për më shumë vëmendje, më shumë shërbime dhe më shumë zhvillim, jo për më shumë largim të administratës nga qytetari.