21 Maj, 2026

Kërkon leje për kullë 33-katëshe në Vlorë, Donald Veshaj ortak me dhëndrin e deputetit socialist

 Kërkon leje për kullë 33-katëshe në Vlorë, Donald Veshaj ortak me dhëndrin e deputetit socialist

Nga ekrani televiziv direkt te kullat shumëkatëshe. Kjo është historia e fundit që po komentohet në Vlorë dhe jo vetëm. Donald Veshaj, i njohur prej vitesh si personazh televiziv, tashmë rezulton i përfshirë në një projekt gjigant ndërtimi në një nga zonat më të shtrenjta të bregdetit shqiptar.

Pak muaj pasi iu fut botës së biznesit, emri i tij lindi në dokumentet e kompanisë “DGC” SHPK e krijuar në mars 2024 bashkë me Glenis Çobon. Sipas të dhënave në “Open Corporates” të dy zotërojnë nga 50 përqind të aksioneve, ndërsa kompania ka si qëllim ndërtimet dhe investimet në pasuri të paluajtshme, me një kapital prej 1 milionë lekësh.

Por, ajo që ka ngritur pikëpyetje nuk është thjesht hyrja e një figure televizive në biznes. Bëhet fjalë për një projekt gjigant, një kullë me 33 kate mbi tokë dhe 4 kate nën tokë, në zemër të Vlorës. Natyrisht që një financim i tillë kërkon miliona euro dhe pyetja që bën opinioni publik është: nga buron ky kapital?

Donald Veshaj, një emër i njohur i ekranit, ndërsa ortaku tjetër, Glenis Çobo, aspak i njohur për opinionin publik duan të ndërtojnë kullë gjigante në mes të Vlorës. E pikërisht prapaskenat, sikurse raportohen, lidhen me ortakun e Veshajt. JOQ raporton se Glenis Çobo rezulton të jetë dhëndri i biznesmenit dhe deputetit socialist të Vlorës, Vullnet Sina, njëkohësisht edhe pronar i rrjeteve “Big Market” në të gjithë Shqipërinë.

Ajo që ka ngritur pikëpyetje rreth kompanisë “DGC” dhe projektit në fjalë lidhet me faktin se asnjëri prej ortakëve nuk njihet më herët për aktivitet në sektorin e ndërtimit. Si Donald Veshaj ashtu edhe Glenis Çobo nuk kanë qenë emra të lidhur publikisht me investime të kësaj natyre, ndërsa tashmë rezultojnë pjesë e një projekti për ndërtimin e një kulle 33-katëshe në një nga zonat më të kërkuara të Vlorës.

Pikërisht kjo ka nxitur diskutime mbi mbështetjen financiare dhe strukturën reale që qëndron pas investimit. Në opinion publik po shtrohet pyetja nëse kemi të bëjmë me investitorë të drejtpërdrejtë apo me persona që përfaqësojnë interesa të tjera ekonomike.

Për më tepër, projekte të kësaj përmase zakonisht kërkojnë kapacitete të mëdha financiare, eksperiencë në tregun e ndërtimit dhe transparencë mbi burimin e investimit, çka ka bërë që rasti të tërheqë vëmendje dhe debat publik.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *