26 Gusht, 2026

Kërcënon deputetja britanike: Shqipëria të marrë kriminelët, ndryshe t’iu bllokojmë vizat dhe ndihmat

 Kërcënon deputetja britanike: Shqipëria të marrë kriminelët, ndryshe t’iu bllokojmë vizat dhe ndihmat

Deputetja e Reform UK, Sarah Pochin, ka kërkuar që qeveria britanike t’i vendosë Shqipërisë një ultimatum për të pranuar kthimin e shtetasve të saj të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar, duke propozuar bllokimin e vizave dhe ndërprerjen e ndihmës britanike në rast refuzimi.

Deklaratat u bënë në Talk TV, gjatë diskutimit mbi propozimet e Nigel Farage për largimin e të burgosurve të huaj nga burgjet britanike.

Pochin tha se lirimi i të dënuarve pasi kanë kryer vetëm një pjesë të dënimit është i papranueshëm dhe se një mënyrë e shpejtë për të krijuar vende në burgje do të ishte largimi i 10 mijë e 700 shtetasve të huaj që ndodhen aktualisht në to.

“Zgjedhja e parë është, natyrisht, t’i dërgojmë në vendin e tyre të origjinës. Ne e dimë se shumica vjen nga Shqipëria”, deklaroi ajo.

Më pas, deputetja e Reform UK propozoi masa ndëshkuese ndaj Shqipërisë nëse Tirana nuk do të pranonte kthimin e shtetasve të saj.

“Pse të mos i themi qeverisë shqiptare: ju do t’i merrni mbrapsht. Nëse nuk e bëni, nuk do të merrni më asnjë vizë britanike. Nuk do të merrni më asnjë qindarkë ndihmë nga Britania. Merrini mbrapsht kriminelët tuaj. Pse duhet t’i financojmë ne këtu?”, tha Pochin.

Sipas saj, në rast se vendet e origjinës refuzojnë t’i pranojnë të dënuarit, ata duhet të dërgohen në një vend të tretë. Gjatë intervistës u përmendën El Salvadori dhe Kosova si destinacione të mundshme.

Pochin është deputete për zonën Runcorn and Helsby dhe gruaja e parë e zgjedhur në Parlamentin britanik nën siglën e Reform UK. Ajo fitoi zgjedhjet e pjesshme të majit 2025 me vetëm gjashtë vota diferencë ndaj kandidates laburiste.

Deklaratat e saj kanë shkaktuar polemika edhe më parë. Në tetor të vitit 2025, Pochin kërkoi falje pasi u ankua se reklamat në Britani ishin “plot” me njerëz me ngjyrë dhe aziatikë.

Kryeministri i mëparshëm Keir Starmer i cilësoi komentet si “racizëm tronditës”, ndërsa vetë Farage pranoi se mënyra se si ishin formuluar ishte “e gabuar dhe e shëmtuar”, por tha se qëllimi i saj nuk kishte qenë racist.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *