Katër foto që shpjegojnë “dramën” e socialistëve
Nga Vitjon Nina
Votimi i Reformës Territoriale në Kuvend me 85 vota pro dhe 34 kundër, pas një maratone të gjatë diskutimesh në sallën e Parlamentit dhe mes fjalimesh me ulje e ngritje, e dyshime për votimin, nuk ishte skenari i zakonshëm i një përballjeje mes mazhorancës dhe opozitës.
Përtej tensionit në sallë, ai shërbeu edhe si një moment për të lexuar raportet e brendshme të forcës socialiste, ekuilibrat e lidershipit dhe lëvizjet që mund të përcaktojnë zhvillimet e ardhshme brenda Partisë Socialiste.
Katër figura spikatën në këtë tablo: Edi Rama, Erion Braçe, Elisa Spiropali dhe Belinda Balluku.
Edi Rama: testi i disiplinës brenda PS-së
Për Edi Ramën, votimi i Reformës Territoriale ishte një tjetër provë e kontrollit politik mbi mazhorancën. Rezultati prej 85 votash pro, pa rrjedhje të dukshme votash nga kampi socialist, e forcon mesazhin se, pavarësisht zërave kritikë dhe pakënaqësive që mund të ekzistojnë brenda partisë, në momentet vendimtare linja e lidershipit vijon të zbatohet nga Grupi Parlamentar.

Përtej rezultatit numerik, rëndësi kishte edhe simbolika e sjelljes pas votimit. Rama u largua duke qeshur, në shoqërinë e Ervin Demo-s dhe Niko Peleshit, duke përcjellë imazhin e një kryeministri që e kaloi pa pasoja të dukshme për mazhorancën një tjetër përballje parlamentare. Në këtë kuptim, votimi nuk ishte thjesht miratim i një reforme, por edhe një demonstrim i disiplinës së grupit dhe i aftësisë së Ramës për të ruajtur kohezionin politik të PS-së.
Erion Braçe: nga dilema e votës te perspektiva e Tiranës
Për Erion Braçen, votimi kishte një peshë tjetër. Deputeti socialist është prej kohësh një zë që ka artikuluar qëndrime të dallueshme brenda PS-së, çka e bënte veçanërisht domethënëse zgjedhjen e tij në një proces me rëndësi politike për mazhorancën.

Në një situatë ku një votë kundër mund të sillte kosto të konsiderueshme politike, deri te përplasja me Grupin Parlamentar, Braçe zgjodhi në fund të ngrejë kartonin jeshil. Ky vendim mund të lexohet si një zgjedhje për të ruajtur hapësirën e tij politike brenda PS-së, pa hequr domosdoshmërish dorë nga profili i një deputeti që kërkon të ruajë zërin e vet.
Në planin afatgjatë, kjo zgjedhje mund të ketë rëndësi edhe për ambiciet e tija në Tiranë. Një garë e mundshme për Bashkinë e kryeqytetit do të kërkonte një raport funksional me strukturat e partisë dhe me vendimmarrjen qendrore. Vota pro nuk përbën garanci për një skenar të tillë, por mund të shihet si një element që e mban të hapur këtë mundësi. Në këtë fazë, mbetet për t’u parë nëse votimi do të shoqërohet me një ndryshim të raportit politik mes Braçes dhe lidershipit socialist.
Elisa Spiropali: debati për mënyrën si merret vendimi
Elisa Spiropali përfaqëson një tjetër linjë zhvillimi brenda PS-së. Rëndësia e saj në këtë moment nuk lidhet vetëm me qëndrimin në sallë apo me nxitimin për t’u larguar pas votimit, por edhe me mesazhet e artikuluara në fjalimin e saj dhe me debatin që ka hapur për mënyrën se si duhet të funksionojë vendimmarrja brenda partisë.

Kërkesa për një metodologji të re vendimmarrjeje prek një çështje më të gjerë sesa një reformë e vetme: raportin mes lidershipit, strukturave dhe hapësirës për diskutim të brendshëm. Nëse Rama e përdori votimin për të demonstruar disiplinën e grupit, Spiropali mbetet e lidhur me pyetjen se sa hapësirë ka për një proces më të gjerë konsultimi brenda PS-së.
Kjo nuk do të thotë se një përplasje e hapur është e pashmangshme, as se nisma e saj ka marrë një formë përfundimtare. Por fakti që debati për metodologjinë e vendimmarrjes vijon të jetë pjesë e diskutimit politik tregon se çështja nuk mund të reduktohet vetëm te rezultati i një votimi parlamentar.
Belinda Balluku: prania që rikthen vëmendjen te hierarkia e pushtetit
Prania e Belinda Ballukut në Kuvend, pas javësh mungese, ishte një nga momentet që tërhoqën vëmendjen gjatë votimit. Në një seancë të shoqëruar nga tensionet dhe thirrjet e opozitës, pjesëmarrja e saj dhe ngritja e kartonit për të votuar pro kishin një domethënie që shkonte përtej aktit formal parlamentar.

Në planin simbolik, Balluku rikonfirmoi praninë e saj në një moment të rëndësishëm për mazhorancën. Pozicioni i saj si ish-zëvendëskryeministre dhe pesha politike që ka pasur në PS e bëjnë çdo dalje publike të saj objekt interpretimi, veçanërisht në një periudhë kur vëmendja përqendrohet te ekuilibrat e brendshëm të pushtetit.
Megjithëse pjesëmarrja në votim, në vetvete, nuk mjafton për të nxjerrë përfundime për të gjitha raportet e brendshme të partisë, dukshëm kur Balluku ngre kartonin, edhe nëse shihet çehrja e saj, tregon qartë se numri dy i të majtëve, është ajo…ende.