26 Gusht, 2026

Kartelet kolumbiane kërkojnë përvojën ukrainase me dronët

 Kartelet kolumbiane kërkojnë përvojën ukrainase me dronët

Grupet kriminale dhe organizatat e armatosura në Kolumbi po përpiqen të sigurojnë njohuri të fituara në fushëbetejën e Ukrainës për përdorimin e dronëve ushtarakë, në një zhvillim që po shqetëson autoritetet e të dy vendeve.

Sipas një raportimi të Financial Times, gjatë vitit të fundit janë shfaqur vazhdimisht raste të personave të lidhur me grupe të armatosura kolumbiane që tentojnë të shkojnë në Ukrainë për të fituar përvojë në luftën me dronë dhe më pas t’i përdorin këto aftësi në konfliktin e brendshëm në Kolumbi.

“Skemat e rekrutimit janë shumë komplekse, por ajo që më shqetëson më shumë është niveli i specializimit që ata po fitojnë. Ish-paramilitarë, ish-guerrilas dhe ish-ushtarakë po luftojnë dhe po mësojnë së bashku si të përdorin dronët”, tha një punonjës kolumbian i ndihmës në Ukrainë, duke folur në kushte anonimiteti.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, disa shtetas kolumbianë me lidhje të dyshuara me krimin e organizuar janë identifikuar dhe larguar nga programet e rekrutimit.

Ndërkohë, përdorimi i dronëve ka ndryshuar ndjeshëm edhe konfliktin e armatosur në Kolumbi, ku për dekada ushtria kishte epërsi të plotë në hapësirën ajrore.

“Industria e dronëve është zhvilluar me shpejtësi dhe grupet kriminale e kanë përshtatur këtë teknologji për sulme, duke krijuar një sfidë të madhe për epërsinë ajrore në fushëbetejë”, deklaroi ministri në largim i Mbrojtjes së Kolumbisë, Pedro Sánchez.

Sipas ministrisë, vetëm gjatë viteve 2024 dhe 2025 grupet e armatosura kryen 264 sulme me dronë, kryesisht duke përdorur dronë komercialë të modifikuar për të hedhur eksplozivë.

Në maj, një ushtar u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën gjatë një patrullimi në një zonë ku kultivohet koka. Në prill, tre ushtarë humbën jetën pranë kufirit me Ekuadorin pas një sulmi me dron, ndërsa një radar ushtarak u godit në provincën Cauca.

Sipas Financial Times, grupet kriminale po kërkojnë veçanërisht të mësojnë përdorimin e dronëve FPV (First-Person View), të cilët kontrollohen në kohë reale nga operatori dhe përdoren si mjete sulmuese me eksploziv.

“Dronët FPV kanë nisur të përdoren edhe në Kolumbi, por ata ende nuk dinë si të enkriptojnë komunikimin mes dronit dhe operatorit apo si të montojnë ngarkesat shpërthyese ashtu si bëhet në Ukrainë”, tha një pilot kolumbian dronësh që lufton në Ukrainë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *