21 Maj, 2026

Kandidimi për Bashkinë e Tiranës, Erion Braçe “kundër” Manastirliut: Ajo u zgjodh për emergjencë, tani ka ndryshuar situata

 Kandidimi për Bashkinë e Tiranës, Erion Braçe “kundër” Manastirliut: Ajo u zgjodh për emergjencë, tani ka ndryshuar situata

Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe thotë se kandidatura e Ogerta Manastirliut për drejtimin e bashkisë së Tiranës, erdhi si një emergjencë në shtatorin e kaluar, kohë kur kryeqyteti ishte në prag të zgjedhjeve të parakohshme.

Vetë Braçe është ofruar për të qenë kandidat ndërsa thotë se sot PS ka të gjithë kohën e mjaftueshme në dispozicion për të përzgjedhur garuesin sipas asaj që parashikon dhe statuti i partisë.

“Ishte një emergjencë në shtator, mund të ishte dhe ashtu gjëja, tani është koha e mjaftueshme që PS të bëjë një proces.

Atë që parashikon statuti, siç bëhen për çdo bashki, mund të bëhen dhe për Tiranën”, tha Braçe për Report TV.

Deputeti thotë se dëshira për të qenë i pari i Tiranës nuk është një ambicie personale. Ndërsa kërkesën e depozituar në KQZ për të marrë të gjitha rezultatet individuale që nga zgjedhjet e vitit 1996, deputeti thotë se vlejnë vetëm për punën e tij dhe punët e bëra prej tij.

“Rezultati në kohë dhe në çdo territor vlen vetëm për punën dhe për punët, nuk vlen për karrierën. S’ka lidhje me ambiciet personale”, tha Braçe.

Braçe u mandatua si deputet në Qarkun e Tiranës në zgjedhjet e fundit parlamentare (11 maj 2025), duke fituar mandatin nga lista e hapur e PS-së, ndërsa rezultoi më i votuari.

Emri i tij në garë për të marrë drejtimin e Bashkisë së Tiranës qëndron përballë Ogerta Manastirliut, e shpallur nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste më 11 shtator 2025.

Zgjedhjet lokale të radhës pritet të mbahen në pranverën e 2027-ës, ndërsa aktualisht Tirana zyrtarisht drejtohet nga Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim prej 1 viti.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *