11 Shtator, 2026

“Ka pitbullë, luanë, arinj dhe suita që jepen me qira” – Habit gazetari: Një burg i sigurisë së lartë është kthyer në “kopsht zoologjik”!

 “Ka pitbullë, luanë, arinj dhe suita që jepen me qira” – Habit gazetari: Një burg i sigurisë së lartë është kthyer në “kopsht zoologjik”!

Një denoncim i fortë është bërë në emisionin Breaking me Fiori Dardhën TopNews, mbi sigurinë dhe mënyrën e funksionimit të disa burgjeve në Shqipëri.

Gazetari Adriatik Doçi pretendon se brenda një burgu të sigurisë së lartë janë futur kafshë të ndryshme, mes tyre qen pitbullë, arinj të vegjël, luanë të vegjël dhe papagaj.

Sipas Doçit, persona me lidhje me krimin e organizuar, duke shfrytëzuar fuqinë e tyre financiare dhe ndikimin, dyshohet se kanë mundur të realizojnë ndërtime apo ambiente të veçanta brenda burgjeve, përmes kompanive të ndërtimit.

Bëhet fjalë, sipas tij, për individë me profil biznesmeni, të arrestuar nga SPAK-u dhe me mundësi të mëdha financiare, të cilët nuk janë mësuar me kushtet e vuajtjes së dënimit. Për këta persona, këto ambiente të veçanta do të shërbenin për ta bërë më të lehtë përballimin psikologjik dhe emocional të qëndrimit në burg.

Doçi: Është e çuditshme dhe gati e pabesueshme, por një burg i sigurisë së lartë në Shqipëri duket sikur ngjan me një kopsht zoologjik. Brenda tij janë futur qen pitbull, arinj të vegjël, luanë të vegjël, papagaj, e të tjera kafshë. Dhe kjo ndodh pikërisht në një burg të sigurisë së lartë.

Ka video, foto, informacione sekrete dhe denoncime konfidenciale lidhur me sigurinë në burgje. Sipas këtyre denoncimeve, situata nuk kufizohet vetëm te futja e kafshëve.

Figurat e krimit të organizuar dyshohet se kanë kontraktuar kompani ndërtimi, të cilat kanë hyrë në ambiente të burgjeve dhe kanë kryer ndërtime apo konstruksione brenda tyre.

Por historia shkon edhe më tej.

Figurat e krimit të organizuar, për shkak të ndikimit dhe fuqisë së madhe financiare që kanë, dyshohet se kanë krijuar edhe suita të veçanta brenda disa burgjeve, të cilat më pas jepen me qira, duke krijuar një lloj biznesi brenda ambienteve të burgut.

Nëse do të interesoheshim për personat që ndodhen në këtë kategori, bëhet fjalë për individë nga bota e biznesit dhe e krimit, të arrestuar nga SPAK-u, të cilët kanë pasuri dhe para të investuara në ndërtime.

Bëhet fjalë për persona me profil biznesmeni, me fuqi të madhe financiare, të cilët nuk janë mësuar me kushtet e burgut dhe nuk kanë një të kaluar të gjatë kriminale apo përvojë të mëparshme në qeli.

Për ta, përballja psikologjike dhe emocionale me burgun mund të jetë e vështirë. Dhe pikërisht këtu, sipas denoncimeve, u ofrohen ambiente të veçanta, të cilat jepen me qira për ta bërë qëndrimin në burg sa më të lehtë.

Gazetarja: Një lloj “Airbnb” brenda burgut?

Doçi: Po, pikërisht kështu përshkruhet, ambiente të veçanta, me pagesë, ku qëndrimi synohet të jetë sa më komod për persona të caktuar.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *