3 Nëntor, 2026

“Je transferuar me urdhër të Ramës”- Veliaj letër gjykatëses së GJKKO-së: Hetoni urdhrin e Kryeministrit!

 “Je transferuar me urdhër të Ramës”- Veliaj letër gjykatëses së GJKKO-së: Hetoni urdhrin e Kryeministrit!

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nuk është paraqitur në seancën e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), por përfaqësohet nga avokati i tij, Plarent Ndreca.

Veliaj i ka drejtuar një letër gjykatëses, përmes së cilës ngre pretendime lidhur me transferimin e tij nga paraburgimi i Durrësit dhe kërkon hetim për rrethanat e këtij veprimi.

Në letrën drejtuar gjykatës, Veliaj shprehet se përgjigjen lidhur me këtë çështje e ka marrë të premten nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili, sipas tij, i ka thënë se transferimi është kryer me urdhër të Kryeministrit Edi Rama.

Veliaj pretendon se urdhri i Kryeministrit është i paligjshëm dhe shprehet se, nëse do ta dinte një gjë të tillë, do t’i shtoheshin akuza të tjera për prishjen e rendit kushtetues.

Në përfundim të letrës, ai i kërkon gjykatës të kryejë një hetim të plotë dhe të thelluar për këtë çështje.

Letra e Veliajt:

Siç jeni vënë në dijeni nga media, Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, të mërkurën e javës së kaluar jam rrëmbyer nga një togë shoqërimi pa m’u treguar urdhri sekret pse po largohem, ku po shkoj dhe si justifikohet largimi me 100 km të tjera shtesë nga gjykata ku po gjykohem, nga familja ime me 2 të mitur, e nënën pensioniste, dhe nga Bashkia e Tiranës që drejtoj.

Unë përgjigjen e mora të premten afër mesnatës kur Ministri i Drejtësisë Z. Gogu ma bëri të qartë se jam transferuar me urdhër personal të Kryeministrit Rama; që të bëj burg tamam dhe t’ia dijë për nder se prokurorët po bënin gati të më shtojnë akuza të tjera, ku më e rënda do qe ajo e prishjes së rendit kushtetues për përkrahjen, organizimin dhe financimin e protestave të Flamingove dhe studentëve.

Kjo përveçse është po aq e pavërtetë sa dhe Nesti Angoni e Nesta Pëllumbi, është dhe e paligjshme si urdhëri i Kryeministrit për transferimin ashtu dhe pretendimi se prokurorët negociojnë me të persekutimin tim të vazhdueshëm dhe shtimin e akuzave.

Kjo kërkon një hetim të plotë, të thellë e të paanshëm. Po e lë në gjykimin tuaj marrjen e masave me besim të plotë në integritetin tuaj.

Ju falenderoj,

Erion Veliaj

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *