Italianët sot fitojnë më pak se në vitin 1990
Italianët sot fitojnë më pak se në vitin 1990, kur pagat llogariten me inflacionin. Italia është i vetmi vend nga mbi 20 ekonomi të zhvilluara të analizuara nga OECD ku pagat reale kanë rënë në këtë periudhë.
Në asnjë vend tjetër të Bashkimit Evropian fuqia blerëse nuk është gërryer më shumë gjatë pesë viteve të fundit.
Pakënaqësia po del edhe në rrugë, pasi për sot janë paralajmëruar marshime e greva në gjithë Italinë kundër kostos së jetesës, pagave të ulëta dhe shërbimeve publike që po përkeqësohen, raporton Reuters.
Këtë muaj, frustrimi shpërtheu me dhunë në Milano, ku grupe kryesisht të rinjsh thyen vitrina, plaçkitën dyqane dhe sulmuan policinë.
Ndër më të goditurit janë punonjësit e sektorit publik, si mësuesit dhe infermierët, pagat e të cilëve përcaktohen me kontrata kombëtare që shpesh rinovohen me vite vonesë. Paga bazë e mësuesve vitin e kaluar ishte 12% më e ulët se në vitin 2015, kur merret parasysh inflacioni.
Situata është më e rëndë në Milano, ku një mësues paguhet njësoj si kolegu i tij në një fshat në jug të Italisë. Qiraja mesatare për vetëm një dhomë atje është rreth 700 euro, ndërsa pagat neto të mësuesve variojnë nga 1,350 deri në rreth 2,000 euro në muaj.
Çmimet e banimit në Milano janë rritur pjesërisht nga ardhja e bankierëve të pasur ndërkombëtarë pas Brexit-it dhe reformës tatimore. Që nga viti 2021, qiratë në qytet janë rritur me 20%.
Në raport me të ardhurat, shtëpitë në Milano janë më të shtrenjta se në Paris, Londër apo Berlin. Si pasojë, shumë mësues as nuk aplikojnë për vendet e lira të punës, ndërsa të tjerë kërkojnë transferim sapo punësohen.
Anna Polliani, drejtoreshë e një shkolle në Milano, u detyrua së fundmi të gjente zgjidhje të përkohshme për dy vende të lira pune për mësuesit e fëmijëve me nevoja të veçanta. “Problemi është përkeqësuar që nga pandemia e COVID-19 dhe po bëhet i përhershëm”, tha ajo.