Itali: Skandali i “kodit të fshehtë” në VAR
Drejtuesi i arbitrave Gianluca Rocchi dyshohet se ka përdorur një sistem të koduar sinjalesh për të ndikuar në vendimet e VAR-it në futbollin italian, raporton la Repubblica.
Gazeta italiane përshkruan një praktikë që në mënyrë ironike është quajtur “Gioca Jouer”, në referencë me këngën e njohur të Claudio Cecchetto, ku përmes gjesteve të caktuara jepeshin sinjale për operatorët e VAR-it.
Një dorë e ngritur nënkuptonte “mos ndërhy”, ndërsa një grusht i mbyllur sinjalizonte “ndërhy”, duke krijuar një lloj “fjalori të heshtur” brenda dhomës së kontrollit.
Këto pretendime lidhen edhe me hetimet e prokurorisë së Milanos, e cila po shqyrton jo vetëm të ashtuquajturat “trokitje” të dyshimta, por edhe rolin e Rocchi-t në ndikimin e vendimeve gjatë ndeshjeve.
Një rast konkret i përmendur është ai i ndeshjes mes Udinese-s dhe Parma-s më 1 mars 2025, ku operatori VAR Daniele Paterna fillimisht nuk e konsideron të nevojshme dhënien e një penalltie, por më pas ndryshon qëndrim dhe i sugjeron arbitrit kryesor Fabio Maresca rishikimin e aksionit.
Sipas materialeve audio dhe video të siguruara, ndryshimi i vendimit dyshohet se ka ardhur pas një sinjali apo ndërhyrjeje nga Rocchi, i cili në rolin e mbikëqyrësit VAR nuk duhet të ndikojë në vendimmarrjen e arbitrave në dhomën e kontrollit.
Që nga viti 2021, dhoma VAR ndodhet në Lissone, pranë Milanos, dhe ishte krijuar pikërisht për të garantuar pavarësi, transparencë dhe izolim nga ndikimet e jashtme.
Megjithatë, sipas akuzave të prokurorisë, ky sistem mund të jetë kthyer në një strukturë ku vendimet ndikohen në mënyrë të centralizuar, duke kaluar kufirin drejt asaj që cilësohet si “ndërhyrje” apo edhe “mashtrim sportiv”.
Prokuroria ka sekuestruar dy vite materiale audio dhe video nga dhoma e kontrollit, ndërsa brenda komunitetit të arbitrave thuhet se praktika e “trokitjeve” ishte e njohur, edhe pse nuk lejohet nga protokollet zyrtare.