14 Korrik, 2026

Irani përdori gjurmimin e telefonave për të lokalizuar trupat amerikane gjatë luftës

 Irani përdori gjurmimin e telefonave për të lokalizuar trupat amerikane gjatë luftës

Irani dhe aleatët e tij dyshohet se përdorën teknologji të gjurmimit të telefonave celularë për të lokalizuar ushtarakë dhe kontraktorë amerikanë gjatë luftës së fundit në Lindjen e Mesme, sipas një analize të Financial Times, e bazuar në të dhëna të telekomunikacionit dhe burime të njohura me çështjen.

Sipas raportit, sulmet kibernetike ndaj rrjeteve celulare në rajon nisën në javët para ofensivës amerikano-izraelite kundër Iranit në fund të shkurtit dhe vijuan edhe gjatë fazës së parë të kundërpërgjigjes iraniane me raketa dhe dronë ndaj bazave amerikane.

Analiza tregon se rrjetet telefonike në Lindjen e Mesme u përballën me një valë kërkesash të njohura si SS7 pings, një teknikë që shfrytëzon dobësi të vjetra të rrjeteve celulare për të përcaktuar vendndodhjen e telefonave që përdorin shërbimin roaming jashtë vendit të tyre.

Dy ekspertë të sigurisë kibernetike, të cituar nga Financial Times, thanë se modeli i këtyre kërkesave sugjeron një fushatë të koordinuar për identifikimin e pajisjeve të caktuara.

“Irani ka aftësinë të sigurojë të dhëna në kohë reale dhe të vazhdueshme për vendndodhjen e telefonave. Do të habitesha shumë nëse nuk do ta përdorte rrjetin SS7 ose aksesin në rrjetet celulare të rajonit për të gjurmuar përdorues amerikanë”, tha Gary Miller, studiues në organizatën Citizen Lab.

Sipas gazetës britanike, zyrtarë të vendeve të Gjirit dyshojnë se Irani ose grupet aleate kanë shfrytëzuar marrëveshjet e roaming-ut me operatorët lokalë për të tentuar lokalizimin e personelit amerikan.

Një zyrtar amerikan, që foli në kushte anonimiteti, tha gjithashtu se aktorë të lidhur me Iranin dyshohet se kanë përdorur edhe baza të dhënash komerciale të reklamimit digjital për të gjurmuar telefona në rajonin e Kurdistanit irakian.

Gjatë konfliktit, objektiva të lidhura me praninë amerikane, përfshirë hotele ku qëndronin kontraktorë dhe ushtarakë, u goditën në Irak, Bahrejn dhe vende të tjera të Gjirit.

Megjithatë, Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) deklaroi se kishte marrë “masa të paprecedenta për mbrojtjen e forcave”, ndërsa një zyrtar amerikan theksoi se nuk ka prova që gjurmimi i telefonave të ketë luajtur një rol vendimtar në sulmet iraniane.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *