Irani godet aeroportin e Kuvajtit, SHBA dhe Teherani shkëmbejnë sulme të reja
Përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është përshkallëzuar sërish, pasi Kuvajti njoftoi se një sulm iranian ka goditur një terminal në aeroportin ndërkombëtar të vendit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe plagosjen e disa personave.
Sipas autoriteteve kuvajtiane, sulmi detyroi pezullimin e përkohshëm të trafikut ajror dhe devijimin e fluturimeve drejt aeroporteve alternative.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Kuvajtit e cilësoi sulmin si një akt agresioni, duke theksuar se të plagosurit kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ngjarja vjen pas një serie operacionesh ushtarake të ndërmarra nga SHBA-të në rajon.
Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) bëri të ditur se forcat amerikane goditën një anije cisternë që po lëvizte drejt Iranit pranë Ngushticës së Hormuzit, pasi ekuipazhi kishte injoruar paralajmërimet e përsëritura të autoriteteve amerikane.
Po ashtu, SHBA-të njoftuan se kanë kryer sulme ndaj objektivave ushtarake iraniane në ishullin Qeshm dhe ka rrëzuar disa dronë që, sipas saj, ishin lëshuar nga Irani drejt rrugëve detare ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike e Iranit deklaroi se ka ndërmarrë sulme me raketa dhe dronë ndaj objektivave amerikane në rajon, duke i cilësuar ato si përgjigje ndaj veprimeve të Washingtonit.
Megjithatë, ushtria amerikane mohoi pretendimet se janë goditur bazat e saj në Bahrein.
Përshkallëzimi i ri i tensioneve po ndodh në një moment kur përpjekjet diplomatike për një armëpushim dhe rifillimin e negociatave mes Washingtonit dhe Teheranit mbeten të brishta.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se një marrëveshje me Iranin është ende e mundur, ndërsa autoritetet iraniane kanë paralajmëruar pezullimin e bisedimeve për shkak të zhvillimeve të fundit në rajon.
Ndërkohë, situata mbetet e tensionuar edhe në Liban, ku sulmet izraelite kanë vazhduar pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare për të konsoliduar armëpushimin, duke shtuar pasigurinë në të gjithë Lindjen e Mesme.