Infantino do përfitonte një shifër të frikshme, për shitjen e Botërorit
Plani i diskutueshëm i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për shitjen e 20% të të drejtave të Kupës së Botës është anuluar përfundimisht.
Operacioni prej rreth 3.65 miliardë eurosh përmes shoqërisë “Fifa Forward Enterprise” u braktis pas protestave të ashpra nga UEFA, CONCACAF dhe sponsorët kryesorë. Edhe pse drejtuesi i FIFA-s pohoi se nuk kishte përfitime personale, një hetim i gazetës britanike “The Times” zbuloi detaje të tjera.
Sipas këtij raportimi, Infantino do të përfitonte një pagë marramendëse prej 30 milionë eurosh plus bonuset. Kjo shifër është dukshëm më e lartë se paga e tij aktuale prej 3 milionë eurosh në vit.
Ky projekt parashikonte votimin e 211 federatave anëtare mes premtimeve për shpërblime financiare dhe kërcënimeve për masa ndëshkuese. Edhe pse u përfshi nga kritika të shumta mediatike, zvicerani ka refuzuar të bëjë hap prapa dhe të japë dorëheqjen.
Aktualisht, Infantino vazhdon të qëndrojë në krye të organizatës më të madhe të futbollit botëror, pavarësisht dyshimeve të mëdha mbi menaxhimin e tij.