Humbje tronditëse për Donald Trump në SHBA, por ai mohon përgjegjësinë
Në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA, demokratët siguruan shumicën si në Senatin e SHBA-së ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Ata arritën të fitonin disa shtete që prej kohësh kishin qenë fortesa të republikanëve.
Kjo është një humbje e rëndë për Partinë Republikane të Presidentit amerikan, Donald Trump. Në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara, demokratët fituan shumicën në Senat, sipas rezultateve ende jo të plota dhe projeksioneve të agjencisë së lajmeve AP dhe mediave të tjera amerikane. Demokratët arritën të marrin disa vende senatoriale nga republikanët, duke përfshirë Teksasin, Kansasin, Iowa-n, Karolinën e Veriut dhe Karolinën e Jugut.
Në Teksas, James Talarico mposhti republikanin Ken Paxton, duke i siguruar partisë së tij vendin e parë në Senat nga ky shtet pas më shumë se 30 vitesh.
Në Ohio, demokrati Sherrod Brown mundi republikanin Jon Husted. Në Iowa, Josh Turek fitoi ndaj republikanes Ashley Hinson. Në Karolinën e Jugut triumfoi demokratja Annie Andrews. Ndërkaq, demokrati Adam Hamilton fitoi ulësen senatoriale në Kansas, një shtet që kishte zgjedhur republikanë në Senat për më shumë se 90 vjet.
Me këto rezultate, demokratët siguruan të paktën 53 nga 100 vendet në Senat. Në këtë numër përfshihen edhe dy senatorë të pavarur që bashkëpunojnë ngushtë me Partinë Demokratike.
Trump mohon përgjegjësinë
Humbja e shumicës në Senat përbën një goditje të rëndë politike dhe personale për Donald Trump. Gjatë gjithë fushatës, ai kishte deklaruar vazhdimisht se këto zgjedhje përbënin një lloj “referendumi” mbi politikat e tij.
Në një intervistë për The New York Times në natën e zgjedhjeve, Trump tha se do t’i pranonte rezultatet e votimit dhe se do të bashkëpunonte me demokratët. Por vetëm pak më vonë, në një intervistë tjetër tha se do të jetë “Mister Veto”, duke lënë të kuptohet se do të blllokojë ligjet e miratuara nga shumica demokrate.
“Misater Veto”
Trump tha se nuk e konsideron veten përgjegjës për humbjen. Në rrjetin e tij social, Truth Social, Trump shkroi: “Emri im nuk ishte në fletën e votimit.”
Sipas raportimeve, demokratët shënuan një fitore të dyfishtë, duke siguruar kontrollin si të Senatit ashtu edhe të Dhomës së Përfaqësuesve.