Hetimet për Ron Yeffet, Pirro Vengu firmosi katër vendime në 45 ditë
Kur drejtuesit e qeverisë të përballen me SPAK-un për aferën e monopolit të armëve, municioneve, dronëve dhe automjeteve ushtarake, dhënë kompanisë “Timak” të izraelitit Ron Yeffet, kryeministri Edi Rama do të thotë: “Përgjegjësia u takon individualisht atyre që kanë firmosur”.
Propozimet dhe relacionet ekonomiko-financiare për këtë marrëveshje, e cila përfshin kalimin e aseteve publike te privati dhe ngre dyshime për korrupsion, i ka hartuar ish-ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu. Në dokumente shfaqet edhe emri i Ron Yeffet, për të cilin janë ngritur indicie për trafik armësh dhe lidhje me bashkëpunëtorë ukrainas e izraelitë të dyshuar për veprimtari kriminale.
Pirro Vengu i ka firmosur propozimet dhe ia ka paraqitur qeverisë për miratim. Ky fakt e vendos atë përpara përgjegjësisë ligjore për vendimet që mbajnë firmën e tij.
Fillimisht, Kuvendi dhe qeveria miratuan aktet për krijimin e shoqërisë shtetërore “KAYO” dhe autorizimin e saj për të hyrë në ortakëri me kompani private në prodhimin, eksportin dhe tregtimin e armatimeve, municioneve dhe dronëve. Sipas skemës së parë, shteti do të zotëronte 60 për qind të aksioneve.
Më pas, me propozim dhe relacion të ministrit Pirro Vengu, raporti i pronësisë ndryshoi. Shoqëria shtetërore “KAYO” mori 45 për qind të aksioneve, ndërsa kompania “Timak”, në pronësi të Ron Yeffet dhe ortakës së tij Arjeta Puca, mori 55 për qind. Palët krijuan shoqërinë e përbashkët shtetërore-private “Timak Defence”.
Pirro Vengu vijoi të firmoste propozime në favor të Ron Yeffet. Brenda 45 ditësh, nga 11 qershori deri më 31 korrik 2025, ai i propozoi qeverisë katër vendime. Dy prej tyre mbajnë të njëjtën datë.
Edi Rama i kaloi me shpejtësi për miratim. Vendimet ndryshuan sërish raportin e ortakërisë në favor të privatit. Ron Yeffet mori 80 për qind të aksioneve, ndërsa shoqëria shtetërore “KAYO” mbeti me 20 për qind. Qeveria i kaloi shoqërisë së përbashkët edhe 20 mijë metra katrorë objekte dhe truall shtetëror.
Katër vendimet që propozoi Pirro Vengu:
– Vendimi nr. 322, datë 11 qershor 2025, miratoi kushtet e negocimit të shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a. me shoqëritë private. Sipas vendimit, pjesëmarrja e “KAYO”-s nuk duhet të jetë më e ulët se 20 për qind e aksioneve, ndërsa subjekti privat mund të zotërojë 80 për qind.
-Vendimi nr. 386, datë 10 korrik 2025, miratoi kushtet e negocimit të “KAYO”-s me subjektet private për krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët, me objekt prodhimin dhe tregtimin e municioneve të kalibrave të vegjël dhe të mesëm. “KAYO” do të zotëronte jo më pak se 20 për qind, ndërsa subjekti privat 80 për qind të aksioneve.
-Vendimi nr. 387, datë 10 korrik 2025, ndryshoi vendimin nr. 322 të datës 11 qershor 2025 për negocimin e “KAYO”-s me shoqëri private në prodhimin ose përshtatjen e mjeteve motorike. Pjesa e shtetit u ul nga 45 në 20 për qind, ndërsa pronësia e subjektit privat u rrit në 80 për qind.
-Vendimi nr. 449, datë 31 korrik 2025, miratoi kushtet e negocimit të “KAYO”-s me shoqëri private për prodhimin dhe tregtimin e armëve të kalibrave të vegjël e të mesëm dhe të dronëve. Edhe në këtë rast, “KAYO” do të zotëronte jo më pak se 20 për qind, ndërsa subjekti privat 80 për qind të aksioneve.
Marrëveshjen me Ron Yeffet e ka bërë Edi Rama. Pirro Vengu, në rolin e ministrit të bindur ndaj kryeministrit, i ka kthyer kërkesat politike në propozime zyrtare, i ka shoqëruar me relacionet ekonomiko-financiare dhe i ka firmosur përpara se t’ia paraqiste qeverisë.
Firmat e vendosin Pirro Vengun përpara përgjegjësisë ligjore. Ato i japin njëkohësisht Edi Ramës mundësinë që, sapo SPAK-u të nisë hetimin, të përsërisë formulën e tij të zakonshme: “Përgjegjësia është individuale. PS-ja nuk merr në mbrojtje askënd”. (Pamfleti)