Hetimet për Ballukun, BKH ushtron kontrolle në 4 banesa dhe zyra në Tiranë dhe në Durrës
SPAK po vijon me kontrollet në kuadër të hetimeve për dosjen ‘Balluku’. Vetëm një ditë pas zgjatjes së hetimeve me 3 muaj për ish-numrin 2 të qeverisë dhe vartësve të saj, me vendim të gjyqtarit të hetimeve paraprake, agjentët e BKH-së kanë zbritur në terren.
Burime për media sqarojnë se janë ushtruar 4 kontrolle në banesa e zyra në Tiranë e Durrës.
Vetëm një ditë më parë, Prokuroria e Posaçme ia komunikoi zgjatjen e hetimeve për dosjen e tunelit të Llogarasë dhe Lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës ish-kreut të ARRSH Gentian Gjyli dhe ish-kreut të KESH, Erald Elezi.
Në tetor 2025, Balluku u mor pandehur për shkelje të barazisë me tenderin e Tunelit të Llogarasë. Vetëm një muaj më pas u mor person nën hetim edhe për shkeljet për 7 lotet e Unazës së Madhe dhe iu komunikua edhe masa e pezullimit nga detyra.
Ndaj Ballukut, Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi edhe masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit. Ish-zv/kryeministrja, kishte kërkuar heqjen e kësaj mase por Gjykata e Lartë ia rrëzoi rekursin.