26 Gusht, 2026

Groenlanda paralajmëron kompaninë e naftës të lidhur me Trump: Nuk ka leje për shpimet

 Groenlanda paralajmëron kompaninë e naftës të lidhur me Trump: Nuk ka leje për shpimet

Një kompani amerikane nafte e lidhur me rrethin e presidentit Donald Trump po përgatitet të nisë shpimet eksploruese në Groenlandë, pavarësisht se nuk ka marrë ende miratimin nga autoritetet vendase.

Sipas The Guardian, pajisje për përgatitjen e shpimeve janë sjellë ditët e fundit në bregun lindor të Groenlandës, në zonën e largët të Jameson Land. Lëvizja ka shkaktuar reagimin e qeverisë së Groenlandës, e cila ka lëshuar një “paralajmërim të fortë” ndaj kompanisë.

Autoritetet groenlandeze kanë theksuar se nuk është dhënë asnjë miratim për sjelljen e pajisjeve në territor.

“Të gjitha çështjet e ardhshme logjistike duhet t’i njoftohen dhe miratohen nga autoriteti për burimet minerare përpara se të kryhen”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Kompania Greenland Energy, me bazë në Teksas dhe e krijuar vitin e kaluar, pretendon se nëntoka e rajonit Jameson Land mund të përmbajë deri në 1 trilion dollarë naftë bruto. Kompania ka njoftuar një investim prej 60 milionë dollarësh për shpimin e dy puseve eksploruese.

Groenlanda ka ndaluar dhënien e licencave të reja për kërkimin e naftës që prej vitit 2021, për arsye mjedisore.

Megjithatë, një kompani britanike, 80 Mile, kishte siguruar më herët të drejta eksplorimi në Jameson Land. Dokumentet e Greenland Energy tregojnë se kompania amerikane synon të marrë shumicën e projektit në këmbim të financimit të kërkimeve, por ende ka nevojë për miratimin e qeverisë.

Çështja merr një rëndësi të veçantë edhe për shkak të interesit të vazhdueshëm të Trump për Groenlandën. Presidenti amerikan ka përsëritur kërcënimet për marrjen e kontrollit mbi territorin arktik, duke e cilësuar atë me rëndësi strategjike për Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, Greenland Energy ka lidhje të tjera me figura pranë administratës amerikane. Kompania ka angazhuar Phil McGraw, i njohur si “Dr. Phil”, për një seri dokumentarësh mbi projektin, ndërsa në bordin e saj është emëruar edhe një veteran i Marinës amerikane që punon në projektin e mbrojtjes raketore “Golden Dome” të Trump.

Kryetari i kompanisë, Larry Swets, ka mohuar se projekti i naftës lidhet me përpjekjet amerikane për aneksimin e Groenlandës.

Sipas qeverisë Groenlandeze, pajisjet e sjella në Jameson Land u shkarkuan nga një maune dhe përfshinin rreth një duzinë kontenierësh. Autoritetet kanë thënë se nuk do të ishte proporcionale të kërkohej largimi i menjëhershëm i tyre, ndërsa aplikimi për leje vijon të jetë në shqyrtim.

Kompania ka deklaruar se synon të nisë fillimisht shpimin e një pusi, ndërsa një anije me rreth 300 kontenierë me pajisje shpimi pritet të niset nga Kanadaja më 12 shtator. Shpimet mund të nisin në tetor, nëse sigurohen miratimet e nevojshme.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *